AlbanianSport.com 26/08/2021 22:05
ASNN – Organizatorët e Turneut Të Hapur Amerikan të Tenisit “US Open”, kanë bërë me të ditur të enjten, pak ditë para fillimit të turneut njujorkez, që do të zhvillohet në periudhën 30 gusht – 12 shtator 2021, se do të ofrojnë për tenistët pjesëmarrës një shumë rekord shpërblimesh.
Gjithsej do të jenë 57.5 milionë dollarë amerikanë shpërblime për tenistët, duke thyer për pak rekordin prej 57.2 milionë dollarë të vitit 2019. Shpërblimet do të jenë njësoj si për meshkujt, ashtu dhe për femrat, për secilin tur që do të arrijnë. Por, pavarsisht kësaj, fituesit e “US Open” do të marrin më pak parà krahasuar me vjet.
Shpërblimi i tyre do të zbresë nga 3 milionë dollarë në 2.5 milionë, ndërsa finalisti do të arkëtojë 1.25 milionë dollarë. Ata që do të përfitojnë më shumë të ardhura janë tenistët që eliminohen në turet e para. Ndërkaq, një ditë më parë është mësuar se tenistja amerikane, Serena Uilliams nuk do të marrë pjesë në këtë turne.
“US Open” që është u fundit i të ashtuquajturve turne madhorë (“grend slem”-e) të këtij viti dhe nis më 30 gusht në Nju Jork. Tenistja vendase, 6 herë fituese e këtij turneu, vuan ende një dëmtim në kofshë, që nuk e lejon të jetë në formën optimale. Lajmin e konfirmoi vetë tenistja 39-vjeçare përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe pasi ndoqa këshillën e mjekëve, vendosa të mos luaj në “US Open”, për t’i dhënë mundësi trupit tim ta kapërcejë plotësisht këtë problem, – shkruan ajo në këtë postim. – Më vjen keq që marr këtë vendim, pasi Nju Jork është një nga vendet e mia të preferuara për të luajtur.”
“Shpresoj që t’i takoj mbështetësit e mi këtu vitin tjetër”, – përfundoi Serena Uilliams, që nuk luan që prej turnet të Uimbëlldonit, i mbajtur dy muaj më parë.