AlbanianSport.com 06/02/2020 23:10
ASNN – Rafael Nadal ka përuruar një akademi tenisi në Kuvajt. Kompleksi i tenisit është quajtur “Sheikh Xhaber Al-Abdullah Al-Xhaber Al-Sabah. Fituesi i 19 turneve madhorë, të njohur ndryshe si “Grend Slem”-e, tregon për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se sa i rëndësishëm është realizimi i këtij projekti në Kuvajt. “Për mua personalisht, është e rëndësishme se mendoj që është një rajon me shumë potencial, – ka thënë ai. -Promovimi i tenisit këtu sigurisht që do të ndihmojë në përhapjen e këtij sporti edhe në vendet fqinje.”
“Shpresoj që kjo akademi do të jetë në gjendje të krijojmë një pikë takimi përsa i përket sportit dhe veçanërisht tenisit në të gjithë Lindjen e Mesme”, – ka shtuar spanjolli. Tepër të interesuar gazetarët e kanë pyetur Nadal se sa mundësi ka që një tenist nga Lindja e Mesme të hyjë në 10-shen e më të mirëve në botë, ose të paktën në 30 të parët. “Sigurisht që mund të arrijë, – ka këmbëngulur tenisti spanjoll. – Pse jo, ne na duhet vetëm të eksplorojmë përreth dhe pastaj të promovojmë tenisin për të ndihmuar dhe për t’i nxitur fëmijët të luajnë këtë sport.”
“Nëse ne jemi në gjendje t’u përcjellim atyre mesazhin e duhur dhe t’i inkurajojmë ata të praktikojnë tenis, atëherë do të vijnë edhe rezultatet”, – shtoi ai. Nadali u eliminua nga Dominik Timi në Turneun e Hapur të Australisë (Australian Open 2020), pa mundur dot të shkojë në finalen e këtij turneu. Kjo gjë i kushtoi atij edhe humbjen e numrit 1 në renditjen botërore. Por a është Timi lojtari më i mirë i ri në brezin që po vjen në tenis? Nadal përgjigjet: “Nuk e di. Le të shohim. Turneu i ardhshëm ku do marr pjesë është Akapulko.”
“Ndaj jam shumë i përqendruar se çfarë do të ndodhë aty”, – ka përfunduar tenisti spanjoll, Rafael Nadal.