AlbanianSport.com 21/02/2020 18:20
ASNN – Rozher Federer është operuar dhe do të humbasë kështu edhe turneun “Roland Garros”. Për zviceranin ishte e nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale në gju, e kjo gjë do ta mbajë për një kohë të gjatë larg fushave të tenisit. Dubai, “Indian Uells”, Majemi, Bogotà e “Roland Garros”, janë turnetë në të cilat ai nuk mund të marrë pjesë, e të cilat i kishte të planifikuara për 2020-ën.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë tenisti nëpërmjet profilit të tij në rrjetin social “Instagram”, ku thotë se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Zvicër në gjurin e djathtë. “Gjuri më ka dhënë disa shqetësime këto kohët e fundit, – ka sqaruar tenisti i njohur helvet. – Shpresoja se do të më kalonte, por pas disa ekzaminimeve dhe konsultimeve me skuadrën time, vendosëm që të operohem.”
“Edhe mjekët më thanë se vetëm kështu mund të shpresoja për një shërim të plotë të gjurit. Si pasojë do të mungoj në turnetë e planifikuar më parë e që janë Dubai, “Indian Uells”, Bogotà, Majemi dhe në Turneun e Hapur të Francës. I falenderoj të gjithë për mbështetjen. Mezi pres të rikthehem të luaj sërish”, – ka përfunduar tenisti Rozher Federer.