Gjergj Vyshka 01.02.2016 08:45
Serbi, që është “raketa” e parë botërore, ka fituar për herë të 6-të në karrierë trofeun e Turneut të Hapur të Australisë (“Australian Open 2016”), ndërsa mund për herë të katërt skocezin. Ky ishte titulli i 61-të ndërkombëtar në karrierë për të. Kështu, Novak Xhokoviçi, “raketa” e parë në botë në tenis për meshkuj, duket se ia ka marrë dorën skocezit Andi Mërrej. Katër finale të luajtura mes tyre në Melburn, në turneun e parë të madh të botës për vitin, të quajtur “Australian Open”, janë pesë fitore për Xhokoviçin, i cili kështu është konfirmuar si më i forti i botës.
Duke i shtuar edhe një fitore me Tsongën dhe me Rafael Nadalin, po në finalet e Melburnit, atëherë Xhokoviç me suksesin e djeshëm e ka fituar për herë të 6-të turneun “Australian Open”. Më 2008-ën, 2011-ën, 2012-ën, 2013-ën, 2015-ën dhe 2016-ën. Dhe ajo që bën dallimin është fakti se Xhokoviç të paktën deri më tani në daljet e tij në finale gjithnjë ka qenë fitues në Melbërn. Sipas statistikave finalja më e vështirë ka qenë ajo e 2011-ës ndaj Rafael Nadal që e fitoi 3-2. Më pas ka fituar 3-1 me Tsongën dhe dy herë me Mërrejin, të cilin e ka mundur dhe dy herë të tjera 3-0, po aq sa dhe dje.
Kjo fitore në Melbërn për serbin e pamposhtur të tenisit botëror ka qenë fitorja e 61-të në karrierë. Duke mbetur tek ndeshja e djeshme, me Mërrejin në dukje ka qenë një lojë e lodhshme për Xhokoviç, i cili ka fituar 3-0 pas dy orë e 53 minuta. Seti i parë është pa histori, sepse Xhokoviç është shkëputur që në fillim në avantazhin 5-0 dhe pas 32 minutash lojë e ka mbyllur atë 6-1. Duket se është një tjetër muzikë në setin e dytë, sepse është rikthyer në lojë Mërreji, që ka kryesuar deri në 5-4. Por Xhokoviçi nuk është dorëzuar. Barazon 5-5 dhe më pas e mbyll setin 7-5.
Seti i tretë ka një avantazh 3-0 për Xhokoviç, barazim nga Mërrej në 3-3 dhe kështu shkohet deri në 6-6. Në shtesë nuk ka më histori, Xhokoviç e ka marrë me “ejs” në gjuhën e tenisit, që është shërbimi, pikën e shtatë dhe për rrjedhojë edhe fitoren e finales së Melbërnit. 7-6 dhe 3-0 për numrin një të botës, që kështu konfirmohet e të paktën pas Melburnit nuk duket se ka rivalë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në “Roland Garros” të Parisit, në “Uimbëlldonin” e Londrës, si dhe në Amerikë, që janë dhe tre turnetë e mëdha të vitit 2016 për tenisit.
Por tani për tani, Novak Xhokoviçi mbetet mbreti i tenisit botëror…