AlbanianSport.com 25/01/2019 18:15
ASNN – Lukas Puië (Lucas Pouille) nuk mundi të bënte asgjë për ta penguar Novak Gjokoviçin të arrinte në finalen e 8-të të turneve madhorë (Grend Slem), midis serbit dhe Rafael Nadal. Në gjysmëfinalen e dytë të Turneut të Hapur të Austalisë (Australian Open), tenisti francez ka qenë në një distancë me “vite dritë” me Gjokoviçin, diçka e ngjashme kjo, në ndeshjen e një dite më parë, ajo midis grekut Cicipas kundër Nadalit.
Vetë rezultati thotë gjithçka: 3-0, me sete 6-0, 6-2 dhe 6-2 në 1 orë e 23 minuta, ndeshja e dytë më e shkurtër e turneut pa përfshirë ato kur tërhiqen tenistët. Gjokoviçi, ky tenist i fortë, arrin në finalen e tij të 7-të në Australi. Në 6 ndeshjet e mëparshme për titull, tenisti ballkanas ka dalë fitimtar, duke përfshirë edhe sfidën dramatike, atë kundër Nadalit, në vitin 2012, që zgjati plot 5 orë e 53 minuta.
Puië nuk ka mundur të bëjë qëndresë përballë rivalit të tij, i cili ka bërë vetëm 5 gabime në këtë ndeshje. Kjo fitore është një tjetër statistikë e veçantë në karrierën e Gjokoviçit. Ai ka fituar 27 sfidat përballë tenistëve francezë, kundrejt një humbje, atë ndaj Xho-Uilfred Tsongas, në çerekfinale të Australisë në vitin 2010. Të dielën, në orën 09.30 me orën e Tiranës, do të luhet finalja e “Australian Open 2019”, midis Gjokoviçit dhe Nadalit.