AlbanianSport.com 30/08/2019 14:15
ASNN – Rafael Nadal kalon në turin e 3-të të Turneut të Hapur Amerikan të Tenisit (US Open). Por ndeshja me kundërshtarin Kokinakis nuk është luajtur për shkak se australiani u dëmtua. Kualifikohen ndërkohë edhe Medvedevi, Zverevi dhe Monfils. Për femra, i papritur është eliminimi i kampiones së Uimbëlldonit, Simona Halepit. Rafael Nadal është tashmë në turin e 3-të të “US Open”. Spanjolli, si asnjëherë tjetër, nuk e ka luajtur ndeshjen, pasi kundërshtari i tij në turin e dytë, Thanasi Kokinakis, u tërhoq për shkak të një dëmtimi.
23-vjeçari australian, hëpërhë numri 203 në renditjen botërore, ka njoftuar organizatorët e turneut, dy orë para fillimit të duelit, se nuk mund të luajë për shkak të një dëmtimi në krahun e djathtë. Është hera e parë që Nadali kalon pa luajtur një ndeshje në një turne madhor, që njihen si “Grend Slem”-e dhe kalon në turin tjetër. Tashmë Nadali do të përballet me Çangun, që ka eliminuar Fernando Verdaskon 3-2, pas plot 3 orë e 22 minutash lojë. Ka vuajtur më shumë se ç’ishte parashikuar, Danil Medvedev, i cili u detyrua të luajë 4 sete ndaj numrit 84 në botë, bolivianit Hugo Delien, për marrë fitoren.
Rusi në turin e tretë do të përballet me Felisiano Lopezit. Ndërkaq, 5 sete i janë dashur Sasha Zverevit të luajë për të arritur më të mirën e tij ndaj Tiafoes. Në turin e tretë ka kaluar edhe Gaël Monfils. Kurse për femra, Koco Gauf, 15-vjeçarja, të cilën amerikanët e shikojnë si pasardhësen e Serena Uilliams, vazhdon rrugën në turneun e shtëpisë. Në ndeshjen e turit të dytë, ajo ka mundur hungarezen Timea Babos 2-1, pas 2 orë e 22 minutash lojë. Tashmë ajo do të përballet me japonezen Naomi Osaka, në një sfidë ëndrrash.
Publiku në “Flashing Medows” do të përjetojë emocionet e një ndeshje të bukur, kur një adoleshente sfidon numrin 1 në botë. Surprizë është eliminimi i Simona Halepit, kampiones së Uimbëlldonit. Ka qenë amerikania Tejlor Taunsend, që e ka mundur 2-1. Fiton edhe Karoline Voznjaki, 2-1 ndaj Danielë Kollinsit.