AlbanianSport.com 05/01/2018 18:45
ASNN – Tenisti britanik Endi Mërrej dhe ai japonez Kei Nishikori kanë zyrtarizuar dje tërheqjen nga Turneu i madh i tenisit botëror, ai i Hapur i Australisë “Australian Open”, që nis pas 10 ditësh në Melbërn. Në dyshim është edhe prania e tenistit serb, Novak Xhokoviç, i cili dje është nisur për në Melbërn, por nuk dihet ende nëse do të jetë në fushë më 15 janar.
“Pas shumë hamendjesh, shpresash dhe një dëshire të madhe për t’u rikthyer në fushë, mora vendimin për të mos luajtur në “Australian Open”. Shpresoj të rikthehem në fushë sa më shpejt të jetë e mundur”, – deklaroi Mërrej në një mesazh drejtuar tifozëve të tij. Edhe Kei Nishikori është tërhequr, duke konfirmuar mungesën e tij, në një mesazh që u bë publik pak orë pas atij të britanikut.
Ai që shpreson të jetë në fushë është Novak Xhokoviç, që është nisur për në Australi për t’u përgatitur, por do të vendosë aty nëse do të luajë apo jo. Ai do të testojë veten ditët në vijim gjatë stërvitjes që do të bëjë në Melbërn. “Do të luaj në disa turne që zhvillohen para “Grend slem”-it dhe më pas do të vendos nëse do të jem në fushë për “Australian Open”, – tha Xhokoviç, që ende ka probleme më bërrylin.