AlbanianSport.com 01/07/2020 23:10
ASNN – Edhe tenisi është një nga sportet që është goditur më rëndë në nivel ndërkombëtar nga shpërthimi në shkallë globale i epidemisë së virusit korona. Përtej përpjekjeve për një rikthim, vazhdojnë të shtohen dyshimet për Turneun e Hapur Amerikan të Tenisit (US Open), që është programuar të zhvillohet në Nju Jork, nga 31 gushti, deri më 13 shtator 2020.
ATP-ja konfirmoi në kalendarin e saj të ri se turneu do të mbahet, edhe pse ka akoma zëra kritikë, pasi Nju Jorku ka qenë një nga vatrat kryesore të epidemisë së virusit “Covid-19” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajt mars, prill dhe maj. Novak Gjokoviçi ishte i pari që shprehu pakënaqësinë për këtë, madje edhe mundësinë për të hequr dorë nga pjesëmarrja në turneun njujorkez.
Kjo, duke pasur parasysh masat e rrepta të sigurisë që do të merren për tenistët. Tani është Toni Nadali, xhaxhai i Rafael Nadalit, që zbuloi se edhe nipi i tij kishte dyshime për këtë turneu madhor, të njohur ndryshe si “Grend Slem”. “Unë nuk kam asnjë ide nëse Rafa do të luajë në “US Open” apo jo, por unë kam folur me të dhe, deri tani, ai po hezitonte” – tha “xhaxha” Toni.
Ai ka kritikuar edhe ATP-në për nismën e marrë për të zhvilluar turneun amerikan. Rritja e rasteve me virusin korona, me të cilat po përballen Shtetet e Bashkuara, ka nxjerrë në pah hezitimin e shumë tenistëve për të marrë pjesë në “US Open”. Edhe tenisti australian, Nik Kirgios, ka theksuar faktin se sa i rrezikshëm është nga ana shëndetësore për tenistët organizimi i këtij turneu në Nju Jork.