AlbanianSport.com 17/06/2020 17:55
ASNN – Turneu i Hapur Amerikan i Tenisit “US Open”, do të mbahet në gusht dhe pa spektatorë, ashtu siç ishte parashikuar edhe më parë, kanë konfirmuar organizatorët e tij. Pas disa javësh pasigurie rreth zhvillimit të tij, i cili po vihet në skenë në epiqendrën e krizës së virusit korona, Guvernatori i Nju Jorkut, Endrju Kuomo, i hapi dritën jeshile zyrtarisht zhvillimit të turneut.
Ai theksoi se do të merren “masa paraprake të jashtëzakonshme” për të mbrojtur lojtarët dhe stafin gjatë kësaj veprimtarie. “Këto protokolle të sigurisë përfshinin testime të të gjithë pjesëmarrësve, pastrime shtesë të të gjithë mjediseve, hapësirë shtesë për dhoma, rafte të personalizuar me kyç dhe strehim e transport të dedikuar”, – sqaroi Kuomo.
Vendimi për zhvillimin e “US Open” u mor pasi mori edhe mbështetjen e ATP-së dhe WTA-së. Miratimin për t’u luajtur ka marrë edhe turneu i Sinsinatit.