AlbanianSport.com 03/02/2020 17:45
ASNN – Novak Gjokoviç ka fituar titullin e tij të 17-të në turnetë madhore, të njohur si “Grend Slem”, pas triumfit në Turneun e Hapur të Australisë në tenis, “Australian Open 2020”, duke paralajmëruar se po shkon drejt thyerjes së rekordit të Rozher Federerit me 20 të tillë. Fitorja për herë të 8-të e turneut në Melbërn, tregon se ai shumë shpejt do të tregojë se kush është tenisti më i madh në histori.
Kjo e bën 32-vjeçarin serb, tenistin e parë në turnetë e hapur dhe të dytin në histori, që të fitojë tituj të “Grend Slem” në 3 dhjetëvjeçarë të ndryshëm, një bonus jo i parëndësishëm ky, që e kthen atë në numrin 1 në botë. Ai synon edhe rekordin e Federerit me 310 javë në krye të renditjes. Gjokoviçi deri më tani ka shënuar 276 javë si numri një dhe mund të kalojë 286 të Pete Samprasit në prill dhe Federerit me 310 në 5 tetor.
“Këto janë përparësitë e mia, – tha Xhokoviçi. – Ka shumë histori për të shkruar. “Grend Slem”-et janë një nga arsyet kryesore pse unë jam ende duke garuar dhe ende duke luajtur sezonin e plotë, duke u përpjekur të arrij numrin historik. Ky është një synim tjetër i imi”. Me 5 tituj madhorë në pak më shumë se dy vjet, dhe i pamposhtur nga Nadali dhe Federeri në “Grend Slem”-e që nga viti 2014, nuk ka dyshim se kush është tani lojtari kryesor i “Big Three” (Treshes së të mëdhenjve).