AlbanianSport.com 13.07.2015 11:25
ASNN – Novak Gjokoviç fitoi e Çmimit të Madh të Uimbëlldonit në tenis, pasi mundi në finale Rozher Federerin. Ai konfirmoi veten si tenistin më të mirë në botë me suksesin në turneun më të madh, në Uimbëlldon.
Me finalen më klasike të mundshme, kampioni serb ruajti titullin e fituar vjet në Londër duke i kujtuar rivalit legjendar, zviceranit Rozher Federer, se epoka e sundimit të tij ka përfunduar tashmë.
Përballja e fushës qendrore të Uimbëlldonit ishte e nivelit më të lartë, me shërbime, gjuajtje dhe pritje që mund t’i bëjnë vetëm dy numrat e parë në rruzull. Fitorja 3-1 u arrit në 3 orë lojë, me rezultatin e seteve, 7-6, 6-7, 6-4 dhe 6-3.
Kjo fitore i dha të mbiquajturit “Nole” titullin e tretë në barin londinez. 33-vjeçari Federer u tregua i barabartë me Gjokoviçin, 4 vjet më të ri, për aq kohë sa ia lejoi fiziku, deri pranë fundit të setit të tretë, më pas u dorëzua dalëngadalë.
Ai nuk mundi të vendoste rekordin në këtë titull madhor (“Grand Slem”), ku synoi trofeun e 8-të, një më shumë se Pit Sampras dhe Uilliam Renshou, dhe nuk dihet nëse do të ketë më shans ta provojë.
Sa për kampionin, ai duhet të nxitojë. Gjokoviç u bë tenisti më i vjetër në histori që fiton Çmimin e Madh të 9-të në karrierë, ndaj koha nuk pret nëse dëshiron të mbërrijë nivelet e Federerit, Samprasit apo Nadalit.
Sidoqoftë, për momentin, ai ka të drejtë t’i gëzohet titullit më të madh në botë.