AlbanianSport.com 28/01/2019 13:15
ASNN – Tenisti serb e fiton “Australian Open” për herë të 7-të, tanimë Gjokoviçi synon rekordet e Federerit. Novak Gjokoviçi vendosi një rekord, duke fituar për herë të 7-të turneun e Melbërnit, që ishte për të titulli i 15-të në turnetë madhorë (Grend Sleme) dhe i treti radhazi pas “Uimbëlldonit” dhe “US Open”. Ai mundi të dielën në finale Rafael Nadalin në 3 sete, 6-3, 6-2, 6-3 në një ndeshje që zgjati rreth 2 orë, duke shpalosur një tenis të përsosur.
Numri 1 i botës, tha se është i motivuar që të arrijë rekordin e Federerit, por pranoi se është ende larg. “Unë jam i vetëdijshëm se ajo që dua të bëj në historinë e tenisit, është diçka e veçantë. Natyrisht, që kjo më motivon”, – u tha serbi gazetarëve. “Të vazhdoj të luaj “Grend Slame”, në ngjarjet më të mëdha të ATP-së, është përparësia ime më e madhe”, – shtoi Gjokoviçi, duke besuar se ai mund të arrijë zviceranin.
E në moshën 31-vjeçare, që është ai, 6 vjet më i ri sesa Federeri, ka kohë ta arrijë objektivin. Gjokoviçi ka arritur tashmë një rekord të Federer, duke e fituar Turneun e Hapur të Australisë (Australian Open) plot 7 herë. Fitorja e serbit këtë radhë ishte thjesht madhështore, ndërsa ka mundur Nadal në 124 minuta dominim magjik. Gjokoviçi do të shkojë në Paris në maj për turneun francez, ku kërkon të bëhet njeriu i vetëm në histori, që ka fituar 4 turnetë “Grend Slem” nga dy herë radhazi.
Por të mos harrojmë që “Roland Garro” është vendi ku mbizotëron “mbreti Nadal”, i cili e ka fituar turneun francez në dhè të kuq plot 11 herë në 13 vjet. “Natyrisht që dua ta fitoj turneun francez, por më duhet të perfeksionoj edhe pak më shumë, lojën në fushën me dhe të kuq. Duhet të jem më i saktë se sa Nadal” – tha Xhokoviç. “Por tani unë dua të shijoj fitoren e arritur dhe ta ndaj me familjen e miqtë e mi.”