AlbanianSport.com 22/02/2021 20:10
ASNN – Kurora e 18-të e fituar në turnetë madhorë të tenisit, të njohur ndryshe si “Grend Slem”-e, e fituar nga Novak Gjokoviç e ngushtoi distancën e rekordit të meshkujve, ne 20 të tillë, të mbajtur nga Rafael Nadal dhe Rozher Federer. Por tenisti serb, nuk trembet nga kjo distancë e vogël, ai ka një qëllim tjetër, të arrijë 23 “Grend Slem”-e, si Serena Uilliams, madje edhe 24 të fituara nga Margaret Kort. “Të gjithë kanë synimet dhe mënyrën e tyre për të bërë histori, – deklaroi ai, pas triumfit në Melbërn. – Unë mendoj për të fituar më shumë turne madhorë dhe të thyej rekorde, natyrisht.”
“Më shumë se Uilliamsi dhe Korti, – vijoi ai. – Gjithë vëmendja dhe energjia ime nga sot e tutje, derisa të tërhiqem nga tenisi, do të drejtohet vetëm në përpjekjet për të fituar sa më shumë trofe të mëdhenj.” 33-vjeçari, tha se fillimisht synon të thyejë rekordin e Federerit, me 310 javë si numri një i botës, gjë që do ta bëjë më 8 mars 2021. “Rozheri dhe Rafa më frymëzojnë, – zbuloi ai. – Unë mendoj se për sa kohë që ata luajnë, do të luaj edhe unë. Në një farë mënyre është si një garë që kush luan më shumë tenis dhe kush fiton më shumë.”
“E unë mendoj se kjo është arsyeja pse ne jemi ata që jemi, sepse ne e ngamojmë njëri-tjetrin, e motivojmë dhe e shtyjmë njëri-tjetrin deri në kufij”, – shton serbi. Trajneri i Gjokoviçit, Goran Ivanisheviç tha se pikërisht këta 3 tenistë të mëdhenj po prodhojnë “tenisin më të mirë të të gjitha kohërave”, madje vuri në dukje se rekordi i Kortit ishte në horizont. “Nuk e di se ku është fundi i tyre, – tha ai. – Ndoshta ata do të kapërcejnë Serenën dhe Margaret Kortin. Por është e mahnitshme ajo që ata bëjnë në fushë.”