AlbanianSport.com 23.01.2017 20:25
ASNN – Tenisi është një nga sportet në rritje në Shqipëri dhe tanimë Federata Shqiptare e këtij sporti do të ketë një mbështetje edhe më të madhe, falë kontratës së bashkëpunimit, të nënshkruar të hënën me kompaninë “SIGMA Interalbanian Vienna Insurance Group”.
Është nënshkruar të hënën në kryeqytet një marrëveshje bashkëpunimi midis Federatës Shqiptare të Tenisit dhe kompanisë së sigurimit “Sigma Interalbanian”, pjesë e “Vienna Insurance Group”. Kjo marrëveshje e bën këtë kompani sponsor gjeneral të kësaj Federate. Duke folur gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Drejtori i Përgjithshëm i SIVIG-ut, Klajdi Çitozi, e vuri theksin tek roli mbështetës i biznesit për sportin.
“Bizneset përveç fitimit duhet të kujdesen më shumë për komunitetin. Ky sponsorizim është në vazhdën e sponsorizimeve që ne si kompani, “Sigma Interalbanian”, kemi bërë përsa i përket artit dhe kulturës, – tha Çitozi. – Ne besojmë se sporti në përgjithësi i bashkon dhe inkurajon njerëzit për një jetë të shëndetshme dhe larg veseve.”
Marrëveshja është vlerësuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Tenisit, Genci Çakçiri. “Tashmë falë kompanisë “Sigma Interalbanian” kemi mundësinë që të zhvillojmë më tepër veprimtari, ndërsa do të inkurajoj kompanitë e tjera për të investuar mbi sportin pasi kjo është diçka që duhet punuar shumë në Shqipëri.”
Në përfundim të ceremonisë, presidenti i tenisit shqiptar, Edvin Libohova, prezantoi edhe uniformat e reja me stemat e sponsorit të ri gjeneral.