Gjergj Vyshka 13.09.2015 16:50
Flavia Peneta, raketa e 26-të në renditjen botërore, është fituesja e turneut të hapur amerikan, “US OPEN”, ndërsa dje në finale ka mundur bashkëatdhetaren e saj, Roberta Vinçi, e cila në gjysmëfinale kishte eliminuar Serena Uillimasin.
Seti i parë qenë i ekuilibruar, aq sa Peneta e ka fituar me “tajbrek” (pikët shtesë), 7-6, ndërsa në fund ka fituar 7-4. Në setin e dytë është shkëputur deri në 4-0. Ka një rikuperim të përkohshëm të Vinçit, e cila ka ngushtuar në 4-2.
Por, në fund Peneta nuk lëshon. Fiton 6-2 dhe të gjithë ndeshjen 2-0. Sonte në mbrëmje, në ora 22:00 me orën e Shqipërisë, do të jetë finalja e meshkujve, mes Xhokoviç dhe Federer.
Në finale ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Italisë, Renzi, së bashku me presidentin e Komitetit Olimpik të Italisë, Malago, të cilët më pas kanë patur edhe një takim të veçantë me tenistet.