AlbanianSport.com 06/09/2019 17:00
ASNN – Serena Uilliams është një hap larg fitimit të një tjetër turneu madhor, që njihen ndryshe si “Grend Slem”. Tenistja amerikane ka kaluar në finalen e Turneut të Hapur Amerikan (US Open 2019) ku do të ndeshet me Bianka Andre’esku. Do të jetë shansi i saj për të fituar për herë të 4-t trofeun njujorkez. Ndërsa për kanadezen 19-vjeçare, arritja në finalen e “US Open” është realizimi i një ëndrre.
Serena Uillimas mundi Elina Svitolinën në gjysmëfinalen e “US Open” 2-0, me sete 6-3 dhe 6-1 me më shumë vështirësi sesa reflekton rezultati. Seti i parë zgjati njësoj si fitorja e saj në çerekfinale kundër kinezes Ueng, plot 44 minuta. Seti i dytë ishte një histori tjetër. Amerikania 37-vjeçare e zgjidhi atë në 26 minuta dhe nuk i dha asnjë mundësi ukrainases, numrit 5 në botë.
Uilliamsi do të jetë për të 10-tën herë në finale të turneut amerikan, e dyta radhazi, në të cilin do të përballet me Andre’eskun, e cila mundi Belinda Bençiçin 2-0, me sete 7-6 dhe 7-5. Vetëm 19 vjeç ajo është gjithashtu e para teniste nën 20 vjeç që arrin në finalen e titullit të “US Open”, që nga Voznjaki në 2009-ën. Asnjë tenist femër apo mashkuj, nuk kishte arritur në finalen e turneut që në pjesëmarrjen e tyre të parë.
Dhe kjo që nga koha kur Venus Uilliamsi, motra e rivales së saj të radhës, e kishte bërë këtë në 1997-ën. “Nëse dikush do të më kishte thënë një vit më parë se unë do të isha në finalen e “US Open” tani, unë do të përgjigjesha: “Ti je i çmendur. Është një ëndërr e realizuar”, – tha Andre’esku, e cila ka 13 fitore të drejtpërdrejta dhe bilanci i saj këtë vit është 44-4.