AlbanianSport.com 11/02/2019 16:35
ASNN – Tenisti zviceran tregon edhe planet për të ardhmen. Ylli zviceran, Rozher Federer, dhe legjenda e tenisit, Bjërn Borg, prezantojnë edicionin e tretë të Kupës “Lejvër”. Turne në të cilin marrin pjesë tenistë nga Evropa dhe pjesa tjetër e botës, që do të zhvillohet në shtator në Gjenevë. Federeri është shprehur i gatshëm për të vazhduar tenisin dhe mezi pret të fillojë turneu i ardhshëm.
“Unë do ta vazhdoj karrierën time, nuk ka pasur ndryshime pas Australisë”, – ka pohuar ai. “Unë jam i motivuar, ndihem mirë dhe pres me padurim turnetë e ardhshëm”, – ka shtuar helveti. Ai thekson se po vazhdon përgatitjet për të mundur dy rivalët kryesorë Gjokoviç dhe Nadal. “Qëllimi është që gjithmonë të jem në një nivel të lartë të mjaftueshëm për të mundur Rafan dhe Gjokon”, – ka theksuar Federeri.
“Duhet një përgatitje maksimale për të luajtur kundër tyre dhe ndoshta të fitosh. Përsa i përket renditjes së përgjithshme botërore, 37 vjeç që jam unë nuk është më prioritet”, – ka thënë tenisti zviceran. Ndërsa për turnetë e tjerë të vitit ka shtuar: “Të gjithë janë të rëndësishëm, Uimbëlldonu padyshim, por edhe Dubai, “Indian Wells”, Majemi. Do të doja me të vërtetë të bëja një paraqitje sa më të mirë”.
Ndërsa Björn Borg, ish-lojtari legjendar i tenisit ka treguar për rregullat e turneut të Kupës “Lejvër”. “Lojtarët më të mirë të Evropës dhe të botës do të marrin pjesë në këtë turne, – ka theksuar nordiku legjendar. – Është një turne intensiv pasi luhet për 3 ditë, e askush nuk dëshiron të humbasë”.