AlbanianSport.com 04/09/2019 17:45
ASNN – Me eliminimin e Novak Gjokoviçit, dukej e sigurt një finale midis Rozher Federer dhe Rafael Nadal, por për zviceranin, “US Open”, turne në të cilin nuk fiton që prej 2008, është i pamundur rrugëtimi për më tej. “Mbreti” Rozher mundet në çerekfinale 3-2 nga Dimitrov, por ka patur edhe dhimbje në shpinë. Tek femrat, Serena Uilliamsi kalon në gjysmëfinale.
Tingëllon keq, por duket se Roger Federer mund të ketë arritur kohën për t’u larguar nga tenisi. Nëse jo tani, në vitin 2020, pjesëmarrja në Lojërat Olimpike të Tokios duhet të jetë fundi për të. 38-vjeçari zviceran, fitues i 20 turneve madhorë, të njohura ndryshe si “Grend Slem”-e, e për tepër, është tenisti më i mirë i të gjitha kohërave, por ai nuk ka fituar një turne madhor, që nga “Australian Open 2018”.
Edhe pse shkëlqeu në finalen e Uimbëlldonit dy muaj më parë me Gjokoviçin. Tani, në Turneun e Hapur Amerikan (US Open), Grigor Dimitrovi, i cili kurrë nuk kishte fituar me Federerin në 7 përballje midis tyre, më në fund e mundi veteranin zviceran 3-2, pas 3 orë e 12 minutash lojë. Zvicerani kërkoi disa herë gjatë ndeshjes ndihmë mjekësore për probleme në shpinë.
Ndërsa Dimitrov i gëzohet gjysmëfinales së 3-të në një “Grend Slem, pas Uimbëlldonit në 2014-ën dhe Australisë në 2017. Në gjysmëfinale ai do të përballet me Medvedev. Serena Uilliams ka fituar ndeshjen ndaj Qang pas vetëm 44 minutash lojë, 6-1 dhe 6-0 për të shënuar fitoren e saj të 100-të në “US Open” dhe fitoren më të shpejtë në historinë e turneut. Në gjysmëfinale ajo do të përballet me Elina Svitolinën.