Gjergj Vyshka 24.01.2017 13:25
Federata Shqiptare e Tenisit ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e sigurimeve “Sigma Interalbanian VIG”, e cila do të jetë sponsore e tenisit shqiptar. Në nënshkrimin e marrëveshjesh kanë qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i SIVIG, Klajdi Çitozi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Tenisit, Genci Çakçiri.
“Biznesi, përveç përfitimit, duhet të shikojnë dhe të kujdesen më shumë edhe për interesat e komunitetit, – do të deklaronte Çitozi përpara nënshkrimit të marrëveshjes. -Tenisi, pavarësisht historikut të tij, konsiderohet si një sport relativisht i ri në Shqipëri dhe shumë pak i mbështetur financiarisht. Ndaj e ndjejmë që ka nevojë të promovohet. Dihet që sporti bashkon dhe nxit njerëzit për të ecur më tej, ndaj ne urojmë që Federata Shqiptare e Tenisit të bashkojë njerëzit e të promovojë një stil të shëndetshëm jetese”. Ndërkohë, pasi ka falënderuar kompaninë “SIVIG” për sponsorizimin, Çakçiri ka nënvizuar faktin se kërkohet që tenisi në Shqipëri të bëhet një sport masiv. “Ne duam që ky sport të jetë në të gjithë Shqipërinë dhe të luhet nga të gjitha moshat, – ka thënë nr. 2 i organizmit që qeveris tenisin shqiptar. – Futja e mini-tenisit në shkolla përbën një tjetër hap të rëndësishëm për ne.”
“Po kështu duam të rrisim dhe numrin e trajnerëve, kualifikimin e tyre dhe rritjen e cilësisë të lojtarëve të rinj”, – ka shtuar ai. E në fund, pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, Edvin Libohova, i ka dhënë Çitozit fanellën e përfaqësueses së Shqipërisë, të stampuar me logon e kompanisë së sigurimeve “Sigma Interalbanian VIG”.