AlbanianSport.com 28.01.2017 18:45
ASNN – Finalja e Turneut të Hapur Ndërkombëtar të Tenisit në Australi, të njohur ndryshe si “Australian Open” është ajo që, sikundër do ta përkufizonte shumë bukur rrjeti prestigjioz informativ amerikan, CNN, të gjithë kanë shpresuar, por shumë pak e kanë pritur.
Rafael Nadal dhe Rozher Federer, dy kundërshtarët e vjetër, që së bashku kanë fituar 31 tituj nëpër turnetë madhorë, që njihen ndryshe si “grend sleme”, do të takohen në një finale të tillë për herë të parë pas 6 vjetësh. Në të vërtetë, kjo do të jetë finalja e 9-të në turnetë e mëdhenj midis Nadalit dhe Federerit.
Por do të jetë e para në “Melbërn Park” prej vitit 2009, kur tenisti spanjoll pati fituar titullin. Nadal e siguroi të premten finalen, pasi në gjysmëfinale mposhti bullgarin Grigor Dimitrov, ndërsa Federer një ditë më herët, pasi eliminoi Vavrinkën. Finalja do të zhvillohet të dielën.