AlbanianSport.com 08/01/2019 10:40
ASNN – Njihuni me 10 tenistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, triumfatorë në një sport aristokratësh. Tenisi është një sport aristokratësh, por njëherësh një prej sporteve më të ndjekur dhe më të bukur.
Nuk është një sport thjesht i dy vetave, që kanë një rrjetë të ulët përballë dhe një top të vogël që endet sa andej-këtej brenda ca kornizave të bardha, përkundrazi, tenisi është sport sa fizik, aq dhe tekniko-taktik, sa argëtues aq dhe emocional, sa me ndikim aq dhe gjithëpërfshirës.
Në dy ditët në vijim, AlbanianSport.com do t’ju sjellë në dy pjesë 10 sportistët më të spikatur dhe më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe sot është pjesa e parë të numërimit tonë mbrapsht…
… vijon nga dje
- Pit Sampras
Një prej tenistëve legjendarë të këtij sporti, një amerikan magjepsës dhe mjaft i suksesshëm, Pit Sampras është në 5-shen e më të mirëve të historisë së tenisit. U lind më 12 gusht 1971 në Merilend të SHBA-së, ndërsa aktualisht banon në Kaliforni. E nisi karrierën në vitin 1988 dhe u tërhoq në vitin 2002. Është një prej tenistëve më të vlerësuar në aspektin financiar dhe shuma e çmimeve të tij arrin në 43 milionë dollarë amerikanë. Fitoi në karrierën e tij 64 tituj, prej të cilëve 14 “Grend Slem”-e, 2 “Australian Open”, 7 “Uimbëlldon” dhe 5 “US Open”. U rreshtua në Hollin e Famës së Tenisit në vitin 2007.
- Rod Lejvër
I përket “kohës s vjetër”, por është nga më famozët në historinë e këtij sporti. U lindi më 8 gusht 1938 në Kuislend të Australisë dhe banon në Kaliforni, në SHBA. Nisi karrierën në vitin 1962 dhe u tërhoq në vitin 1979 në moshën 41-vjecare. Ka fituar mbi 200 tituj karriere, prej të cilëve 11 “Grend Slem”-e, të tillë si 3 “Australian Open”, 2 “Roland Garro”, 2 “US Open” dhe 4 “Uimbëlldon”. U përfshi në Hollin e Famës së Tenisit në vitin 1981
- Novak Gjokoviç
U lind më 22 maj 1987 në Beograd, Serbi. Aktualisht banon në Monte Karlo të Monakos. Nisi karrierën në vitin 2003 dhe vijon akoma. Është një sportist që ka fitime marramendëse financiare dhe cmimet që ai ka fituar vlerësohen në afro 120 milionë dollarë amerikanë. Ka fituar 71 tituj në karrierën e tij, prej të cilave 14 “Grend Sleme”, të tillë si 6 “Australian Open”, 4 “Uimbëlldon”, 3 “US Open” dhe një “Roland Garro”. Statistikat e tij pritet të thellohen, pasi është ende aktiv në lojën e tenisit.
- Rafael Nadal
U lind më 3 qershor 1986 në Majorka të Spanjës, ku edhe banon aktualisht. Nisi karrierën në vitin 2001 dhe vijon të jetë aktiv në fushat e tenisit. Fitimet financiare nga çmimet e titujve të tij arrijnë mbi 100 milionë dollarë amerikanë. Ka fituar 79 tituj në karrierën e tij, prej të cilëve 17 “Grend Sleme” individuale, të tilla si një “Australian Open”, 11 “Roland Garro”, 3 “US Open”, 2 “Wimbledon”, si dhe një medalje të artë olimpike në “Pekin 2008”. Statistikat e tij pritet të thellohen, pasi Rafael Nadali është ende lojtar aktiv në fushat e tenisit.
- Rozher Federer
Është e kotë të pretendohet vendi i parë nga ndonjë tenist tjetër në 10-shen më të mirë të historisë së këtij sporti. Sepse zvicerani Rozher Federer është një triumfues i madh, një sportist i kalibrit botëror dhe njëherësh një sportist që në tenis ka lënë gjurmë të arta, duke qenë ende aktiv në fushat e tenisit. U lind më 8 gusht 1981 në Bazel të Zvicrës, ndërsa aktualisht banon i ndarë mes Zvicrës dhe Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe. Nisi karrierën në vitin 1998 dhe e vijon ende aktualisht, edhe pse është 36 vjeç. Fitimet financiare nga vlera e çmimeve të tij është afro 117 milionë dollarë amerikanë. Në karrierën e tij të gjatë mbi 20-vjeçare ka fituar 98 tituj të mëdhenj, prej të cilëve 20 “Grend Sleme” individualë, të tillë si 6 “Australian Open”, një “Roland Garro”, 5 “US Open” dhe 8 “Uimbëlldon”. Askush nuk mund të krahasohet me tenistin zviceran. Nga viti 2004 deri në vitin 2008, Federer shkoi 237 javë radhazi duke u renditur i pari në botë, një rekord që zor se nuk mund të tejkalohet. Megjithëse lojtarët më të rinj tani po gjejnë një mënyrë për ta mundur atë, niveli i tij vazhdimisht i lartë i lojës në karrierën e tij 20-vjeçare është një testament për kondicionimin dhe aftësinë e tij. Fitimi i “Australian Open” në 2018-ën, në moshën 36 -vjeçare, pas sezonit të tij të jashtëzakonshëm në 2017-ën që e pa atë të fitojë “Uimbëlldonin” dhe “Australian Open” dëshmojnë pa dyshim se Rozher Federeri është me të vërtetë më i madhi i të gjitha kohërave.