AlbanianSport.com 06/01/2019 22:10
ASNN – Njihuni me 10 tenistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, triumfatorë në një sport aristokratësh. Tenisi është një sport aristoktratësh, por njëherësh një prej sporteve më të ndjekur dhe më të bukur. Nuk është një sport thjesht i dy vetave, që kanë një rrjetë të ulët përballë dhe një top të vogël që endet sa andej-këtej brenda ca kornizave të bardha, përkundrazi, tenisi është sport sa fizik, aq dhe tekniko-taktik, sa argëtues aq dhe emocional, sa me ndikim aq dhe gjithëpërfshirës. Ndër vite ky sport ka bërë një progres të pazakontë, aq sa sportistët më të mirë të tenisit janë vazhdimisht ndër 10 sportistët më të paguar në botë.
Madje tenisti më i mirë krahasohet me kampionin e Formula 1, me kampionin e basketbollit amerikan NBA, si dhe me lojtarin më të mirë të futbollit botëror. Vitet e fundit, këtë sport e kanë dominuar emra të tillë si Roxher Federer, Novak Gjokoviç dhe Rafael Nadal tek meshkujt, ndërsa tek femrat peshën më të madhe e kanë mbajtur motrat amerikane Serena dhe Venus Uilliams, si dhe çekja Navratilova. Pas vitit 1970 tenisi në të vërtetë u bë më shumë një sport i zakonshëm sesa një sport për të privilegjuarit, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nga ajo kohë, shumë lojtarë të mëdhenj kanë ardhur dhe kanë shkuar.
Për shkak se është e vështirë të krahasohen lojtarët e epokave të ndryshme në çdo sport, për shkak të ndryshimeve në teknologji dhe standardeve më të larta të formës fizike, zgjedhja e lojtarit më të madh ndonjëherë mund të jetë një detyrë e vështirë dhe shumë subjektive. Pavarësisht nga sfidat, më poshtë jepen emrat e 10 sportistëve më të mëdhenj të tenisit botëror, emra që konsiderohen më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave, nisur nga klasi i lartë i paraqitjeve, titujt e fituar dhe, natyrisht, ndikimi që kanë patur në publik.
Dhe nuk është rastësi që njerëzit edhe kur votojnë priren t’i japin maksimumin tenistit që është ende në aktivitet, pasi ai jep emocion më shumë se sa dikush që ka qenë shumë i madh, por në një kohë të shkuar. Në dy ditët në vijim, AlbanianSport.com do t’ju sjellë në dy pjesë 10 sportistët më të spikatur dhe më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Vijon nesër…