Gjergj Vyshka 14.10.2016 17:05
Arti dhe Sporti kanë humbur Telat Agollin, që në moshën 84-vjeçare është ndarë nga jeta në Nju Jork. Kështu të paktën ka lajmëruar Ministria e Kulturës, por dhe Teatri i Metropolit përmes zëdhënëses Ani Mema. Por nuk e ka bërë sporti, edhe pse Telat Agolli është “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Mbi të gjitha është i nderuar me “Mirënjohje” nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Ka marrë Kupa e medalje të ndryshme, ndërsa është dhe nderi i Peshëngritjes. Dhe pikërisht në peshëngritje ai ka qenë “kampion” për 20 vjet, ndërsa ka realizuar 99 rekorde kombëtare në periudhën 1950-1972. Është bashkëkohës i Vehap Xhindollit dhe Asim Belinovës, ndërsa nga duart e tij janë stërvitur Ymer Pampuri, Bujar Bodinaku, Mirjan Hakani, sepse ai ka qenë trajner e sportist i 17 Nëntorit.
E po kështu ka qenë kampion në gjimnastikë dhe në atletikë, ndërsa në cirk ai akrobat do të merrte titullin “Artist i Popullit”. E për rrjedhojë është një humbje e madhe për artin dhe sportin shqiptar, ndërsa Redaksia e Gazetës “Sport Ekspres” gjen rastin t’i japi ngushëllimet e veta familjes Agolli për ndarjen nga jeta të Telatit. Këtyre ngushëllimeve u bashkohet edhe AlbanianSport.com