AlbanianSport.com 23/01/2024 16:05
ASNN – Kupa e Shqipërisë rikthehet të mërkurën me turin e 16-shes. Kështu, veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë për edicionin 2023/2024 do të rikthehet këtë të mërkurë me ndeshjet e fazës së 16-shes. Të tetë takimet do të luhen në një ditë dhe ndeshjet do të nisin në orën 13:00 dhe 17:00.
Në këtë fazë të Kupës ka disa duele interesante, ku garojnë edhe ekipet e renditura nga vendi i parë e deri në vendin e 8-të në Kategorisë Superiore për sezonin 2022-2023. Të gjitha ndeshjet do të luhen me vetëm një takim dhe skuadrat që do të kualifikohen për në çerekfinale do të vendosen të mërkurën.
Duke nisur nga or 13:00 do të luhen 6 takime. Kryesuesja e renditjes së Kategorisë Superiore, Egnatia do të përballet me Lushnjen, ndërsa ndjekësja më afërt, Partizani, në këtë tur do të përballet me Apoloninë. Tirana e vendit të 4-t, në këtë fazë ka si kundërshtar Korabin.
Ndërsa një takim i fortë është ai mes dy skuadrave të Kategorisë Superiore, Laçit dhe Dinamos. Në të njëjtën orë do të luhen edhe dy sfida të tjera që premtojnë spektakël, midis dy skuadrave të gjysmës së poshtme të renditjes së Superiores dhe dy skuadrave të kreut të Kategorisë së Parë, Kukësi-AF Elbasani dhe Erzeni-Bylisi.
Dy sfidat e fundit të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë do të luhen duke nisur nga ora 17:00. Vllaznia do të përballet në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës me Flamurtarin dhe, po në të njëjtën kohë, do të luhet në Durrës edhe një tjetër takim shumë i fortë mes dy skuadrave të Kategorisë Superiore, ai Teuta-Skënderbeu.