AlbanianSport.com 25.11.2016 11:15
ASNN – “Të mbrojmë lumin nëpërmjet sportit.” Ky ka qenë lajtmotivi i Kampionatit Kombëtar të Rafting, që u organizua në qytetin e Beratit. Ky kampionat ka mbledhur qindra të rinj në brigjet e Osumit, ku nëpërmjet sportit synohet të promovohet lumi si vlerë e zonës dhe natyra në përgjithësi.
Edhe këtë vit Federata Shqiptare e Rafting, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe një sërë partnerësh të tjerë mundësoi kampionatin e rafting mes nxënësve të shkollave të mesme, duke afruar pranë lumit qindra të rinjë dhe qytetar që e kanë ndjekur nga afër.
Nxënësit e shkollave të ndara në kategorinë e vajzave dhe djemëve kanë garuar në disiplinën kokë më kokë, duke përshkruar lumin Osum me gomone nga Ura e Varur në drejtim të Urës së Goricës, ndërkohë që për të ndërthurur rafting me ecjen, në kthim garuesit kanë ardhur me vrap drejt vijës së finishit.
Për organizatoren e këtij eventi, Blerina Ago, mesazhi që u përcoll sot është shumë i rëndësishëm, “pasi sporti na ndihmon që të mbajmë mjekun larg, të kemi një shoqëri edhe më të mirë, ndërkohë që nga këto kampionate sipas saj do të dalin nesër përfaqësuesit e garave kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë sport.
Vetë të rinjtë janë shprehur se kjo ka qenë një përvojç mjaft pozitive, pasi ka lindur brenda tyre dëshira dhe më e madhe për sportin. Ndërkohë që, nëpërmjet kësaj veprimtarie ndërgjegjësohen jo vetëm ata, por gjithë shoqëria për mbrojtjen e lumit dhe natyrës.
Në përfundim janë shpallur edhe fituesit e 3 vendeve të para për femra dhe meshkuj, që ishin si vijon:
Vendi i Parë Vajza – Skuadra Kuçovë
Vendi i Dytë Vajza – Skuadra Lapardha
Vendi i Tretë Vajza – Skuadra Sinjë
Vendi i Parë Djem – Skuadra Babë Dudë Karbunara
Vendi i Dytë Djem – Skuadra Syzes
Vendi i Tretë Djem – Skuadra Sinjë