AlbanianSport.com 14/04/2021 18:40
ASNN – Roma-Ajaks, vjen drejtpërdrejt në RTSH 1, të gjithë golat e mbrëmjes, në RTSH Sport. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, do të rikthehet të enjten me ndeshjet e kthimit të çerefinaleve, që, ndryshe nga sezonin e shkuar, po zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Si çdo të enjte evropiane, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjell drejtpërdrejt në kanalin RTSH 1 ndeshjen më të spikatur të mbrëmjes, atë midis Romës dhe Ajaksit, ndërsa në kanalin RTSH Sport do të vijnë drejtpërdrejt të gjithë golat e 4 takimeve të mbrëmjes.
Holandezët vijnë në përballjen e së enjtes pasi e shkuan dëm epërsinë minimale të pjesës së parë, por edhe një 11-metërsh në fillimin e së dytës në takimin e para një jave, duke u lejuar italianëve të rikthehen në lojë, me dy gola të shënuar në gjysmëorën e fundit të ndeshjes. Në fakt, e enjtja e ndeshjeve të para ka qenë në fakt dita e udhëtueseve, pasi, përveç Romës, fitore në fushë të huaj ka korrur edhe Mançester Junajtid, që ka mposhtur Granadën me rezultatin 2-0 dhe shkon në ndeshjen e kthimit me misionin për të shmangur të paktën humbjen me të njëjtat shifra në shtëpi.
Anglezët morën një fitore të vyer në Spanjë, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje, ndërsa një tjetër fitore në fushë të huaj mori edhe Vijareali, që fitoi minimalisht në Kroaci përballë Dinamos së Zagrebit, falë një goli të shënuar në fundin e pjesës së parë. Megjithatë, kroatët kanë treguar se janë të aftë për surpriza, ashtu sikundër ka bërë edhe Sparta e Pragës, që i ka mohuar Arsenalit fitoren në shtëpi vetëm në sekondat e fundit në ndeshjen e parë. Skuadra çeke ka marrë kështu me vete për ndeshjen e kthimit një barazim të vyer që i jep shpresë për të vazhduar aventurën e saj kontinentale, e cila, deri tani i ka kapërcyer pritshmëritë.