AlbanianSport.com 03/10/2019 22:10
ASNN – Vetëm dy fitore në shtëpi, sepse ka 5 fitore të ekipeve udhëtuese, por edhe 5 barazime. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka luajtur të enjten takimet e dyta në grupe. Në takimet që u luajtën duke nisur nga ora 19:00, u shënuan 26 gola në 12 ndeshje, ndërsa janë regjistruar vetëm dy fitore në shtëpi, 5 fitore të ekipeve udhëtuese, por edhe 5 barazime. Liga e Evropës ka luajtur të enjten takimet e dyta në grupe dhe, në ato që u luajtën duke nisur nga ora 19:00, u shënuan 26 gola në 12 ndeshje.
Në grupin G, Fejënordi ka mundur Porton 2-0, me të dy golat e shënuar në pjesën e dytë, ndërsa Bernë, vendasit e Jang Bojs kanë shtangur në fund Gllasgou Rejnxhërs, duke i mundur me shifrat 2-1. Në këtë grup, të 4 skuadrat kanë nga 3 pikë secila pas dy ndeshjesh, çka parashikon një luftë të hapur deri në fund. Në grupin H ka patur fitore për të dyja ekipet udhëtuese, pasi Espanjoli fitoi me dy gola në pjesën e dytë në Moskë përballë CSKA-së vendase, ashtu sikundër bëri në Hungari edhe Ludogoretsi i Razgradit.
I cili ka triumfuar ndaj Ferencvaroshit vendas me rezultatin 3-0, me dy gola të shënuar në pjesën e parë dhe një në të dytën. Bullgarët kryesojnë renditjen me pikë të plota 6, dy më tepër sesa spanjollët. Në grupin I, të dyja ndeshjet janë mbyllur me të njëjtin rezultat, 1-1, teksa Oleksandrija kapërceu mbylljen e pjesës së parë në disavantazh dhe barazoi shifrat në Ukrainë përballë Gentit, duke ndarë nga një pikë secila, ashtu siç bënë në Francë edhe Sent Etieni dhe Volfburgut, që shënuan nga një gol secila në pjesën e parë.
Në këtë grup, gjermanët dhe belgët ndajnë kreun e renditjes me nga 4 pikë secila. E njëjta tablo është edhe në grupin J, ku të dyja ndeshjet janë mbyllur gjithashtu me të njëjtin rezultat, 1-1. Borusia e Mënshennglabahut ka barazuar vetëm në shtesë në kryeqytetin turk përballë Istambul Bashakshehirsporit, ndërsa austriakët e Volfsbergerit kapërcyen mbylljen e pjesës së parë në disavantazh dhe barazuan shifrat në shtëpi përballë Romës. Italianët dhe austriakët ndajnë kreun e renditjes së këtij grupi, me nga 4 pikë secila.
Në grupin K, Vulverhemptoni ka shtangur në fund Beshiktashin në Stamboll, duke fituar 1-0, ashtu sikundër ka bërë edhe Sllovan Bratislava në fushën e Bragës, duke marrë një barazim 2-2 dhe duke bërë që portugezët dhe sllovakët të ndajnë tanimë kreun e renditjes me nga 4 pikë, një më tepër sesa anglezët. Ndërkaq, në grupin L, në takimin e luajtur më herët, Astana është mundur 2-1 në Kazakistan nga Partizani i Beogradit, ndërsa AZ Alkmari dhe Mançester Junajtid e kanë mbyllur me rrjeta të paprekura takimin midis tyre. Serbët dhe anglezët ndajnë kreun e rendites së grupit, me nga 4 pikë secila, dy më tepër sesa holandezët.