AlbanianSport.com 14/02/2019 20:50
ASNN – Shënohen vetëm 6 gola në 6 ndeshje dhe 10 në dy ndeshjet e tjera, por kualifikimi është ende në lojë. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka luajtur të enjten takimet e para të turit të 32-shes dhe në 8 ndeshjet e para, që u luajtën duke nisur nga ora 18;55, ajo që spikati ishte fakti se në 6 takime u shënuan vetëm 6 gola, ndërsa në dy të tjerat, që u mbyllën në barazim, u shënuan plot 10 gola.
Përballja e luajtur në Rusi midis Krasnodarit dhe Bajer Leverkusenit, por edhe ajo e luajtur në Republikën Çeke, midis Sllavias së Pragës dhe Genkut, janë mbyllur me rrjeta të paprekura. Ndërkaq, Bate Borisovi mposhti me një gol të vetëm në Bjellorusi Arsenalin, ndërsa me një gol të vetëm, por në fushë të huaj, triumfoi edhe Sevilja në Itali ndaj Lacios, por edhe Interi në Austri ndaj Rapidit të Vjenës. Fitore në fushë të huaj, por me shifrat 2-1, korri edhe Benfika në Turqi ndaj Gallatasajit.
Dy ndeshjet që dhuruan më tepër gola, ishin barazimet e arritura në Greqi dhe në Francë. Olimpiakosi vendas kaloi dy herë në epërsi ndaj Dinamos së Kievit, por, në të dyja rastet ukrainasit u kundërpërgjigjën, duke marrë një barazim të vyer me gola me vete për ndeshjen e kthimit në shtëpi. Një barazim të vyer me gola mori për ndeshjen e kthimit në shtëpi edhe Real Betisi, që kapërceu pësimin e dy golave të hershëm dhe kalimin për herë të dytë në disavantazh.
Për të marrë një barazim 3-3 me një gol të realizuar në fundin e kohës së rregullt. Rezultatet e takimeve të para të këtyre 8 ndeshjeve lënë gjithçka të hapur për ato të kthimit, që luhen pas një jave.