AlbanianSport.com 19/10/2021 22:55
ASNN – Luhen ndeshjet e grupeve A, B, C dhe D, shënohen 35 gola në 8 takime. Liga e Kampioneve është kthyer këtë mesjavë me ndeshjet e 3-ta të fazës së grupeve dhe të martën janë luajtur takimet e vlefshme për grupet A, B, C dhe D. Në takimin e luajtura më herët, të vlefshme për grupin A, Mançester Siti nuk i ka lejuar skuadrës vendase, Klub Bryzhit, të bëjë një tjetër të papritur, pasi e ka mundur me rezultatin 5-1. Belgët i patën marrë një barazim 1-1 Paris SG-së, duke vijuar të mundë 2-1 në Gjermani Lajpcigun, por e gjetën veten në disavantazh të dyfishtë në 45 minutat e para, pas një golit të Kanselos dhe një 11-metërshi të saktë të Mahrezit.
Në pjesën e dytë, skuadra e trajnerit Pep Guardiola gjeti edhe dy gola të tjerë, me anë të Uokerit dhe Palmerit, dhe, ndonëse Vanaken shkurtoi largësinë e golave për belgët, Mahrezi vulosi fitoren 5-1 të Mançester Sitit, që ngjitet në kuotën e 6 pikëve. Në takimin tjetër të këtij grupi, të luajtur më vonë, Paris SG-ja dhe Lajpcigu e kanë mbyllur në barazim 1-1 pjesën e parë, me francezët që kaluan të parët në epërsi në minutën e 9-të, dhe me gjermanët që barazojnë në të 28-tën. Ndonëse Lajpcigu do të përmbysë shifrat në çerekorën e parë të pjesës së dytë, dy gola të Lionel Mesit në 20 minutat e fundit i japin fitoren 3-2 parizienëve e bashkë me të, edhe kreun e renditjes.
Ndërkaq, në Stamboll, në takimin tjetër të luajtur më herët, Kouts i ka kaluar portugezët në epërsi dhe ndonëse Larin ka barazuar përkohësisht shifrat për turqit, është sërish i njëjti lojtar që gjen golin e dytë të Sportingut, që gjen edhe të 3-tin e në fund të pjesës së parë me anë të një 11-metërshi të saktë të Sarabias. Ndonëse Beshiktashit i është anuluar nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) edhe një gol në minutat shtesë të pjesës së parë, në pjesën e dytë janë portugezët që gjejnë në fund edhe golin e 4-t, me anë të Paulinjos.
Në ndeshjen tjetër të grupit C, të luajtur më vonë, Ajaksi e ka mbyllur në epërsi të dyfishtë pjesën e parë në shtëpi përballë Borusias së Dortmundit, me të dy golat e realizuar brenda 25 minutave të para nga holandezët. Në pjesën e dytë, Ajaksi gjen edhe dy gola të tjerë për të korrur një fitore të thellë, 4-0, ndaj gjermanëve. Ndërkohë, në grupin B, të dy përballjet i kanë mbyllur pjesët e para në barazim, por ndërkohë që Porto dhe Milani u ndanë me rrjeta të paprekura në Portugali, në Madrid, Atletiko vendase dhe Liverpuli shënuan nga dy gola secila. Anglezët shënuan dy gola të shpejtë në 13 minuta të para.
Por spanjollët u kundërpërgjigjën me dy të tjerë të realizuar në çerekorën midis minutës së 20-të dhe asaj të 35-të. Pjesa e dytë në Madrid ka parë vendasit të mbesin me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Grizmanit, dhe Liverpuli gjen edhe golin e 3-të, me anë të një 11-metërshi të saktë të Mohamed Salah. Kurse në Portugali, Milani është mundur minimalisht nga Porto, që gjeti golin në pjesën e dytë. Dhe, së fundi, në grupin D, si Interi në shtëpi, ashtu Reali i Madridit në Ukrainë e kanë mbyllur 45 minutëshin e parë në epërsi minimale.
Italianët i janë falur një goditjeje të zgjuar të Xhekos brenda zonë për të kaluar në epërsi ndaj të papriturës së këtij grupi, Sherifit të Tiraspolit, kurse madrilenët kanë patur nevojë për një autogol të vendasve për të mposhtur Shahtjorin e Donjeckut. Por Reali ka gjetur edhe 4 gola të tjerë në pjesën e dytë, përfshi një dygolësh të Vinicius Zhunjor, duke fituar me shifrat 4-0. Kurse Interi ka kapërcyer barazimin e përkohshëm nga moldavët, ka gjetur edhe dy gola të tjerë, duke gjetur fitoren e parë në grup.