AlbanianSport.com 18/06/2020 20:10
ASNN – Më 24 mars, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) pranoi vendimin e Kryeministrit japonez Shinzo Abe për të shtyrë Lojërat Olimpike në Tokio për një vit. Por viti 2021 nuk mund të jetë data përfundimtare për të zhvilluar ngjarjen me rëndësinë më të madhe sportive në botë. Kjo sepse një nga anëtarët e Komitetit Organizator të kësaj veprimtarie, ka kërkuar që Olimpiada të shtyhet për herë të dytë, në rast se kushtet shëndetësore nuk janë të favorshme edhe vitin e ardhshëm.
“Përparësia jonë kryesore është të bëjmë një përpjekje të gjithë bashkë për ta mbajtur Olimpiadën në verën e vitit 2021”, – tha Harujuki Takahashi, i cili gjithashtu kërkoi të merret parasysh mundësia e vonesës. “Nëse nuk është e mundur ta bëjmë këtë ne duhet të fillojmë të mendojmë për një shtyrje tjetër”, – tha ai. Kjo kërkesë e Takahashit mund të ishte shkatërruese për ekonominë e Japonisë, vetëm të mendosh që shtyrja e parë e datës, u vlerësua me një humbje prej 5.7 miliardë dollarë amerikanë.
Një faktor tjetër që do të ndikonte në datën e Lojërave Olimpike në 2021 është se gjetja e një vaksine të mundshme kundër virusit korona mund të zgjasë më shumë sesa pritej, gjë që do të çonte drejt një shtyrje tjetër të Olimpiadës. Gjithashtu, shtyrja e Lojërave Olimpike deri në vitin 2022 mund të komplikonte shumë edhe kalendarin e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollit, domethënë, FIFA-s. Përkundër faktit se Botërori i Katarit do të zhvillohej në nëntor, logjistika e skuadrave për të pasur një skuadër të gatshme për ngjarje të klasit botëror mund të dekurajojë shumë federata.