AlbanianSport.com 06/01/2018 18:25
ASNN – Federata Shqiptare e Taekondosë World është institucioni sportiv i radhës që do të zhvillojë analizën vjetore, quajtur ndryshe Asamblenë e Përgjithshme. Sipas njoftimit të ardhur nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Taekuondosë në versionin “World”, Arben Markaj, kjo asamble do të zhvillohet më 15 janar 2018 në Hotel / Rezidencë “Dinasty”, përballë ish-kompleksit Dinamo në Rrugën e Kosovarëve nga ora 17:00 deri në ora 19:00.
Në rendin e ditës të asamblesë është verifikimi i mandateve, ndërsa do të miratohet dhe ndryshimi i disa ekipeve. Kështu “Tirana” nga “Shoqata Tirana”, kthehet në “Klub Tirana”, apo dhe verifikimi i licencimeve për Kamzën, Shqiponjat, “Top Gym Sport” dhe “Sun Ray”. Po kështu raporti kryesor do të mbahet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Taekuondosë, Genti Malko, si dhe më pas raporti financiar. Do të diskutohet ndryshimi i statutit, sipas kërkesave të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Po kështu nga anëtarët do të bëhet dhe Miratimi i Kalendarit të Veprimtarive Kombëtare dhe Ndërkombëtare për vitin 2018. Madje ka dhe një kërkesë nga shoqata “Top Gym Sport” për përfshirjen e edicionit të 7-të të “Top Tirana Open 2018” në kalendarin e veprimtarive për vitin 2018. Në fund do të miratohet dhe dalja nga inventari i Federatës Shqiptare të Taekuondosë “World” i sistemit xhoistik të pikëzimit.
Po kështu, do të bëhet edhe shpërndarja e bazës materiale të ardhur si ndihmë nga Komiteti Organizativ i Kampionatit Botëror në Muju të Koresë së Jugut. Po kështu dhe marrja e kërkesës së shoqatës “Dyrrahu”, e cila ka ndryshime në statut. E fundi i asamblesë do të jetë pajisja me karta për anëtarët e Federatës Shqiptare të Taekuondosë më 2018-ën.