Gjergj Vyshka 20.01.2014 11:40
Taekondoja shqiptare në versionin zyrtar “World” ka qenë dinjitoze në pjesëmarrjen e saj në Turneun e Hapur Ndërkombëtar, i cili u zhvilluar në Selanik, quajtur ndryshe “Greece Open G1”. Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë Dinamo, Ortek dhe Apolonia, ndërsa sportistët dinamovit me trajner Elvis Vulka dhe ato të Ortekut me trajner Julian Caca kanë qenë pranë medaljeve.
Kështu për të rritur, në peshën deri në 68 kg, Ledian Ceka, nënkampion në fuqi i Ballkanit, ka fituar dy ndeshje dhe është mundur në të tretën pas së cilës do të kishte dhe medaljen e bronztë. Sipas Vulkës, Ceka ka fituar me kundërshtarin nga Greqia dhe Kroacia dhe në fund është mundur 10-7 me italianin. I njëjti fenomen ka ndodhur dhe me dinamovitin tjetër Mario Noka, që konkurroi në peshën deri në 55 kg për të rinj.
Noka ka fituar ndaj dy kundërshtarëve grekë dhe një qiprioti, por humbi me spanjollin, ndërsa ishte në prag të hyrjes në zonën e medaljes. Sakaq për të rinj, Mantho Prokopi, në peshën deri në 63 kg për të rinj ka fituar dy ndeshje ndaj grekut dhe qipriotit, por nuk mundi të hynte në zonën e medaljeve. Ndërkaq një paraqitje jo të mirë ka bërë dhe bursistja Ada Demneri, e cila është mundur që në turin e parë.
Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë 1400 sportistë nga 80 vende të botës ka qenë i vlefshëm për të mbledhur pikët për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Gjithsesi sipas gjykimit të trajnerit të Dinamos, Elvis Vulka, që është njëkohësisht dhe zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Taekuondosë paraqitja e sportistëve tanë ka qenë dinjitoze.
“Unë e cilësoj shumë dinjitoze pjesëmarrjen e sportistëve tanë duke parë që ishte një aktivitet me një pjesëmarrje të gjërë të sportistëve nga shumë vende të botës dhe Evropës, – ka deklaruar ai. – Kishte shumë “kampionë bote” dhe fitues medaljesh. Dhe dy sportistët e mi humbën duke qenë shumë pranë zonës së medaljeve. Të fitosh tre ndeshje dhe tek e katërta të jesh pranë medaljes së bronztë nuk është pak.”
“Kishte shumë pjesëmarrje, cilësi dhe rivalitet në çdo kategori”, – ka përfunduar Vulka.