ASNN – Dhjetë ekipe me mbi 100 sportistë ishin pjesëmarrës të Kupës së Shqipërisë në Taekuondosë në versionin “World”, e cila u zhvillua në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Ndeshjet në fjalë, në programin e të cilave ishin ato të kategoritë për të rritur dhe të rinj, janë ndjekur me interes edhe nga sportdashësit shkodranët, të cilët nuk ia kanë kursyer duartrokitjet ndaj atyre të Vllaznisë.
Për nga radha kjo është veprimtaria e dytë që zhvillohet në Shkodër, për të cilën drejtuesit e Federatës Shqiptare të Taekuondosë kanë falënderuar Klubin Shumësportësh “Vllaznia” dhe trajnerin shkodran Elion Puka. Ai ka meritën kryesore si individë që jo shumë larg në vite bëri të mundur themelimin e këtij sportin në qytetin e Shkodrës, klub i cili sot është ndër më të mirët në Shqipëri.
Një gjë të tillë e pohoi në prononcimin e tij, dhënë për mediat, edhe drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Taekuondosë, Endrit Hoxha, i cili u shpreh i kënaqur për nivelin cilësor që sportistët pasqyruan në ndeshje. Referuar ballafaqimeve në tapet, rivaliteti për fitimin e trofeve si ekip dhe si individë ka qenë e përqendruar mes Vllaznisë dhe Tiranës.
Kanë qenë pikërisht këto dy ekipe që në përfundim të veprimtarisë, fituan trofetë kryesorë ekiporë, Vllaznia për të rinj dhe Tirana për të rritur. Në vendin e dytë për të rinj ishte Studenti dhe në vendin e tretë Gladiator i Durrësit, kurse për të rritur vendi i dytë dhe i tretë janë ndarë mes Vllaznisë dhe Sun Rait. Sportistët më të mirë të veprimtarisë ishin Juirdo Cani dhe Fernando Coca.
E kjo ishte veprimtaria e fundit i taekuondosë shqiptare për vitin 2017.