AlbanianSport.com 12/03/2018 15:15
ASNN – Kampionati Kombëtar i Taekuondosë për Të Rritur dhe Të Rinj është vëzhguar dhe nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, si dhe Shefi i Politikave dhe Strategjive për Sportin dhe Rininë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Arjan Konomi. Përgjatë kampionatit, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Taekuondosë në versionin “World”, Arben Markaj, do të deklaronte: “Pritshmëritë tona janë për një kampionat të mirë, ndërsa do të duhet të shohim gjendjen e Elord Gjanës, i cili duhet të jetë përfituesi i bursës olimpike.”
“Jo vetëm kaq, por kjo veprimtari është përzgjedhëse dhe për ekipin kombëtar, që do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, apo dhe në Eliminatoret e Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, – ka thënë numri 2 i organizmit që qeveris këtë sport të arteve marciale në Shqipëri. Në të tilla kushte themi që niveli është i pëlqyeshëm”. Dhe në përfundim të veprimtarisë, Markaj ka njoftuar se është përzgjedhur dhe ekipi kombëtar, i cili përbëhet nga Elord Gjana, Valdet Allaraj, Juirdo Cani, Arlind Lushaj, Dea Gerqari, Glikeria Quka, Fernanto Caco, etj.
“Ata përbëjnë bërthamën e ekipit, ndërsa kishim marrë masat që kjo veprimtari të zhvillohej në kushte optimale. Veprimtaria u zhvillua në dy fusha luftimi dhe ndeshjet u drejtuar nga gjyqtarët e Federatës sonë, ndërsa një punë shumë të mirë bëri dhe kryegjyqtari Vlerar Bekteshi”, – ka përfunduar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Taekuondosë në versionin “World”, Arben Markaj, kurse “Top Gym Sport” dhe Tirana ishin përkatësisht “kampionët” e të rinjve dhe të rriturve për vitin 2018 në Shqipëri.