AlbanianSport.com 02.04.2016 19:00
ASNN – Në kuadër të kualifikimit të trajnerëve, dy trajnerë shqiptarë të taekuondosë në versionin “World” po marrin pjesë në një seminar të organizuar nga Unioni Evropian i Taekuondosë (ETU).
Ky seminar, i cili ka nisur sot dhe mbyllet nesër në mbrëmje, po zhvillohet në Bon të Gjermanisë dhe në të po marrin pjesë edhe trajneri i Klubit të Taekuondosë “Dinamo”, Elvis Vulka, dhe ai i Klubit të Taekuondosë “Ortek”, Julian Caca.
Sipas informacionit që Vulka ka përcjellë për AlbanianSport.com, në këtë seminar marrin pjesë mbi 200 trajnerë të këtij sporti nga e i gjithë kontinenti dhe veçantia qëndron tek fakti se në përfundim të tij, merret licenca e trajnerit.
“Pa këtë licencë, ne nuk mund të ulemi pranë sportistëve në asnjë veprimtari ndërkombëtare”, – ka sqaruar Vulka, i cili është njëkohësisht edhe zëvendës-president i Federatës Shqiptare të Taekuondosë (World).
Aktualisht, në Shqipëri këtë licencë e ka vetëm zëvendës-presidenti tjetër i Federatës Shqiptare të Taekuondosë (World) dhe, njëkohësisht, trajneri i Klubit të Taekundosë “Top Gym Sport”, Leo Kapri.
Marrja e licencave të trajnerëve në nivel ndërkombëtar nga Vulka dhe Caca është një ogur i mirë për rritjen e nivelit të stërvitjes në sportin e Taekuondosë (World), në Shqipëri.