Gjergj Vyshka 08.05.2016 14:25
“Top Tirana Open 2016” ka sjellë 478 sportistë në tapet. Organizatori Kapri: “Mua më vjen keq që një pjesë e mirë e klubeve tona nuk u përgjigjen, sepse do të ishte mundësi e mirë për ta. Po kështu më vjen dhe për xhelozinë që tregon Federata jonë.”
Në totalin e medaljeve që janë dhënë dje në “Top Tirana Open”, Shqipëria numëron 6 medalje ari. Ato kanë ardhur nga Arlind Lushaj në peshën deri në 85 kg i “Top Gym Sport”, që sipas Kaprit ka bërë ndeshje të mira, ndërsa dy i ka fituar me KO.
Pastaj medalje ari kanë marrë edhe Luiza Cani e Tiranës, Ada Demneri e “Top Gym Sport”, Dea Tërbuni e Vllaznisë, Osvaldo Zhuli i “Top Gym Sport” dhe Julian Selenica i Tiranës.
Por Kapri ka vërejtje për mënyrën se si të gjitha skuadrat shqiptare nuk iu përgjigjen ftesës për të marrë pjesë në këtë veprimtari. “Sepse kjo do të ishte dhe një mundësi e mirë për sportistët në këtë veprimtari ndërkombëtare”, – ka thënë ai.
“Por siç duket trajnerët nuk kujdesën për sportistët e tyre. Pa thënë që mungesa e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Taekuondosë World është xhelozi”, – ka përfunduar Kapri.