AlbanianSport.com 04.04.2016 15:15
ASNN – “Top Gym Sport” dhe Tirana Taekuondo në këtë fundjavë kanë qenë pjesëmarrës në “Turneun e Hapur” të Shkupit, në versionin “World”. Dhe përfundimi janë tre medalje për Tirana Taekondo, e cila drejtohet nga Arjola Zhegu. Dy medalje të arta dhe një argjendi, ndërsa një pjesëmarrje mjaft të mirë ka bërë edhe “Top Gym Sport”, i drejtuar nga trajneri me licencë ndërkombëtare, Leo Kapri.
Më konkretisht, ekipit i TGS-së është kthyer me 11 medalje. Nga këto 6 kanë qenë medalje ari, 3 argjendi dhe 2 bronzi. Më konkretisht, Ada Demneri ka marrë medalje ari në kategorinë e peshës trupore deri në 53 kg për të rritur, ashtu siç ka bërë edhe Glikeria Quka, në kategorinë e peshës trupore deri në 55 kg dhe Julian Selenica në kategorinë e peshës trupore deri në 65 kg për paratërinj.
Për të rinj, Arlind Lushaj ka marrë medalje ari në kategorinë e peshës trupore deri në 55 kg, kurse Dejvi Rakipi ka marrë kreun e podiumit në kategorinë e peshës trupore mbi 57 kg për fëmijë, ashtu siç ka bërë po për fëmijë edhe Ozvaldo Zhuzhi, në kategorinë e peshës trupore deri në 33 kg. Një medalje e argjendtë u mor për fëmijë nga Alden Drago, në kategorinë e peshës trupore deri në 33 kg.
Po kështu, medalje të argjendtë morën për të rinj nga Ariel Rrushi në kategorinë e peshës trupore deri në 68 kg dhe Krisantho Quka në kategorinë e peshës trupore deri në 59 kg. Dy medaljet e bronzit u morën për fëmijë nga Noel Hasa, në kategorinë e peshës trupore deri në 23 kg, dhe Erilda Rrushi, në kategorinë e peshës trupore deri në 33 kg.
Në këtë turne morën pjesë 310 sportistët nga 6 shtete, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Serbia dhe Kroacia. Kësisoj, taekuondoja shqiptare vijon të dhurojë spektakël në veprimtaritë ndërkombëtare, ndërsa “Top Gym Sport” është konfirmuar edhe një herë si një faktor i fuqishëm në zhvillimin dhe çuarjen përpara të kësaj disipline të arteve marciale në Shqipëri.