AlbanianSport.com 19.02.2017 20:25
ASNN – Ishte parashikuar një pjesëmarrje masive, në kufinjtë e 600-700 konkurrentëve, nga afro 15 vende të ndryshme, dhe jo vetëm të Evropës, dhe duket se një gjë e tillë po materializohet, ndonëse jemi në mesin e muajit shkurt dhe edicioni i 6-të i Turneut të Taekuondosë (World) “Top Tirana Open 2017” zhvillohet në javën e parë të majit të këtij viti.
Duke i hedhur një vështrim të shpejtë faqes ndërkombëtare në Internet të veprimtarive të këtij sporti, vërejmë se deri më tani janë regjistruar 130 pjesëmarrës, me një mesatare prej 10 sportistësh të regjistruar në ditë, pasi regjistrimi është hapur vetëm para dy javësh. Nga këta, 114 janë meshkuj, ndërsa 16 femra, që përfaqësojnë 6 skuadra dhe plotësojnë 43 kategori peshash.
Sportistët e regjistruar deri më tani, që janë kryesisht nga Shqipëria, por edhe nga Bullgaria, i përkasin 4 kategorive moshash, ndërsa janë përvijuar, deri më tani, një numër prej 87 dyluftimesh. Sipas organizatorit Leo Kapri, gjithçka është në rrugë të mbarë për një pjesëmarrje masive. “Kini parasysh që jemi në shkurt dhe ka ende diçka më tepër se dy muaj më tepër deri më 6 maj”, – ka thënë ai.
“Për më tepër, janë një numër turnesh të tjera ndërkombëtarë përpara turneut tonë dhe natyrisht që skuadrat bëjnë llogaritë e tyre sa i përket racionalizimit të forcave, – ka vijuar Kapri, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com. – Javën tjetër pres regjistrime në masë, edhe ndërkombëtare, ndërsa marsi pritet të jetë “muaj sulmi”, sa i përket regjistrimit në “Top Tirana Open 2017”.”
Përveçse të shndërrohet në veprimtarinë më masive të arteve marciale në Shqipëri, sipas organizatorit Leo Kapri, synimi madhor është zyrtarizimi i këtij turneu si një veprimtari të njohur ndërkombëtarisht. Siç dihet, AlbanianSport.com është bërë partner mediatik i edicionit të 6-të të Turneut të përvitshëm të Taekoundosë (World) “Top Tirana Open 2017”.