AlbanianSport.com 21.11.2016 19:00
ASNN – Në Barnabi të Kanadasë u mbajt Kampionati Botëror i të Rinjve në Taekuondonë në versionin “World”, ku përtej planifikimit fillestar, ku mendohej të konkurrohej me disa sportistë, Shqipëria arrit të garonte me vetëm një sportist. Bëhet fjalë për Donaldo Dizdarin, që ishte i vetmi sportist të cilit nuk ju mohua viza nga ambasada kanadeze.
Edhe pse kjo veprimtari ishte më i rëndësishmja e vitit dhe duhet të ishte një nga prioritetet e Federatës Shqiptare të Taekuondosë (World), fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu. Kjo sepse sportisti Dizdari ka marrë pjesë i vetëm në këtë veprimtari ndërkombëtare, pa asnjë mbështetje, as teknike dhe as financiare dhe gjithçka është bërë e mundur nga vetë familja e tij.
Sportisti i ri, i cili është pjesë e ekipit privat të “Top Gym Sport”, që drejtohet nga trajneri Leo Kapri, ka qenë i pafat, teksa është eliminuar në turin e 32-shes në kategorinë e peshës trupore deri në 68 kg. Dizdari e ka fituar duelin e turit të parë më 19 nëntor 2016 ndaj indianit Shivam Tiagi, por ka vijuar të mundur në turin tjetër nga rivali afrikanojugor, Uesli Maran.
Në fakt, kjo ndeshje ka përfunduar në barazim 2-2, por, sistemi elektronik shpalli fitues afrikanojugorin për shkak të aspekteve teknike. Për këtë paraqitje, Dizdari është renditur i 17-ti midis 64 konkurrentëve në kategorinë e peshës së tij trupore, një rezultat ky i kënaqshëm duke patur parasysh nivelin e lartë të konkurrencës. “Për vetë rrethanat e kësaj pjesëmarrjeje, unë padyshim do ta cilësoja një sukses këtë rezultat”, – ka thënë shkurtimisht trajneri i Dizdarit, Leo Kapri.