Gjergj Vyshka 05.03.2017 15:10
Federata Shqiptare e Taekuondosë në versionin ITF, në mjediset e saj pranë palestrës “Ari Master Akademi” ka konfirmuar komisionet e saj drejtuese, të cilat do të bëjnë dhe koordinimin më të saktë të punëve për vitin 2017.
Kështu në rolin e presidentit është konfirmuar Bujar Çaushi, ndërsa Ardian Çaushi është në pozicionin e drejtorit teknik dhe Edlira Tahiraj Sekretare e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Taekuondosë ITF.
Në pozicionin e trajnerit të kombëtares është vendosur Dashamir Lleshi, kurse më pas, me votimin e anëtarësisë, janë zgjedhur dhe komisionet. Komisioni i gjyqtarëve do të përbëhet nga Vladimir Koçi, Jetnor Kapllani dhe Muhamet Fushaj.
Komisioni i Financës do të jetë i përbërë nga sekretarja e përgjithshme Edlira Tahiraj, Emiljano Bardhi dhe Erald Muçaj. Dhe në fund është zgjedhur dhe komisioni i brezave, që së pari do të ketë dhe ndihmën e presidentit të Federatës Shqiptare të Taekuondosë ITF, Bujar Çaushi, i cili ka të drejtën e firmës në licencat shqiptare nga ndërkombëtarët.
Por pjesë e tij do të jenë Idajet Lleshi, Përparim Kamberaj dhe Dorian Potka. E mes një unanimiteti të plotë, por dhe një familjariteti e ngrohtësie mes njëri-tjetrit, Taekondoja ITF ka konfirmuar komisionet e saj drejtuese.