Gjergj Vyshka 16.04.2016 17:10
Kombëtarja e Shqipërisë në Taekuondo ITF më 9-10 prill ka qenë pjesëmarrëse në Kampionatin e dytë Evropian “Open Taekuondo”, që u zhvillua në Greqi. Shqipëria ka pasur 12 sportistë, të cilët kanë qenë të ndarë në katër profesionistë: Ani Fekollari, Xhekson Titini, Klajdi Toro dhe Fatjon Gjiza (Breza të zinj 1, 2 dhe 3 dan).
Po kështu edhe 6 sportistë me grada të larta dhe eksperience Dart Musta, Klevi Fezaj, Alda Shahallari, Eni Lamaj, Orgito Zelia dhe Bektash Mërkuri. Ndërkohë pjesë e delegacionit kanë qenë edhe dy sportistë të përvojës së parë si Armando Zeqiraj dhe Kodi Shaphasa.
E trajnerë të kombëtares kanë qenë Ardian Çaushaj dhe Manuel Gaxhaj. Po kështu në grupin e 30 gjyqtarëve të këtij aktiviteti ishin dhe katër nga Shqipëria si Përparim Kamberaj, Muhamet Pushaj, Dorian Potka. Në përfundim për Shqipërinë kanë ardhur 26 medalje.
Prej tyre, 14 ishin ari, 7 argjendi dhe 5 bronzi, si dhe katër kupa të sportistëve më të mirë. Ndërkaq taekuondoja ITF bëhet gati për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, nga data 25, deri më 30 korrik 2016.
Ky ishte informacioni që ka sjellë për “Sport Ekspres” presidenti i Federatës Shqiptare të Taekuondosë ITF, Bujar Çaushi, Mjeshtër Ndërkombëtar, Brezi i Zi gjashtë “Dan”.