Gjergj Vyshka 18.01.2016 07:05
Ada Demneri, e cila garon në kategorinë e peshës deri në 57 kg në taekuondo (World) është eliminuar arbitrarisht në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, që u zhvillua këtë fundjavë në Stamboll. Ajo ka qenë përballë qipriotes Despina Pilivaki me të cilën ishte ndeshur dhe herë të tjera.
Sipas trajnerit të saj, Leo Kapri, Demneri ka bërë një ndeshje dinjitoze. Aq gjithçka ka përfunduar 0-0 një rezultat ky që është përsëritur dhe në shtesë. “Por gjyqtarët me vendim unanim ia dhanë fitoren qipriotes”, – thotë Kapri, që së bashku me Demnerin janë ndjerë keq për këtë humbje të padrejtë në turneun e Stambollit.
Tashmë shpresa e tyre për të shkuar me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” është Kampionati Evropian, që do të zhvillohet në maj. Përtej këtyre eliminimeve si Demneri, ashtu dhe Çeka janë paraqitur denjësisht në Stamboll, ndërsa një gjë e tillë nuk mund të thuhet për Aliun.