AlbanianSport.com 09.05.2015 16:10
ASNN – Federata Shqiptare e Taekoundosë merr pjesë me tre sportistë në Kampionatin Botëror që mbahet nga data 12, deri më 18 maj 2015, në Çeljabinjsk të Rusisë. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës, Arben Markaj, pjesë e delegacionit kuqezi do të jetë sportistja e “Top Gym Sport”, Ada Demneri, në kategorinë së peshës trupore deri në 53 kg.
Po kështu janë edhe Visar Pitushi i Apolonisë, në kategorinë së peshës trupore deri në 63 kg dhe Egers Aliu i Tiranë, i cili do të konkurrojë në kategorinë së peshës trupore deri në 53 kg. Kombëtarja shqiptare shoqërohet në këtë Botëror, njëherësh garë kualifikuese me grumbullim pikësh për Lojërat Olimpike “Rio 2016”, nga trajneri Leo Kapri.
Duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, ai deklaroi se sportistja Demneri gëzon një formë të kënaqshme, teksa sapo është rikthyer nga një kamp stërvitor 2-javor i zhvilluar në Selanik. “Demneri u stërvit së bashku me Kombëtaren greke e atë qipriote, – tha Kapri. – Në kampin stërvitor ishte e pranishme kampionia olimpike Milika Mandiç, si dhe një kampione bote,”
Lajm i mirë për Federatën Shqiptare të Taekuondosë është edhe ftesa që ka marrë nga ajo Evropiane për sportisten Demneri për të marrë pjesë në Lojërat e Para Olimpike Europiane, që mbahen në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, nga data 12, deri më 28 qershor 2015.