Gjergj Vyshka 24.01.2017 08:50
Egers Aliu, taekuondisti i Tiranës në stilin “World, ka marrë medalje bronzi në Gjermani, teksa ishte pjesëmarrës në turneun e hapur të nivelit “G1”.
Kanë qenë pjesëmarrës 963 konkurrentë nga 41 shtete të ndryshe, ndërsa në kategorinë e peshës trupore deri në 63 kg, ku ishte dhe Aliu, ishin 41 sportistë.
Dhe në 4 ndeshje, Aliu ka fituar 3 dhe është renditur i treti duke merituar medaljen e bronztë.
“Një medalje me vlera për Shqipërinë dhe klubin sportiv Tirana”, – ka thënë ai në një reagim të shkurtër në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Më duhet të falënderoj Hafez Ajrullahin për përkrahjen dhe Mkadmi Abdel, trajnerin e Belgjikës, dhe Klub Bruksel për mikpritjen dhe mbështetjen në seanca stërvitore”, – ka shtuar ai.
E kështu, taekuondoja shqiptare e ka nisur me medalje vitin 2017. Duhet theksuar se kjo është medalja e 7-të shqiptare në turnetë e nivelit G1.
Gjashtë medaljet e tjera janë fituar nga sportistët e ekipit privat “Top Gym Sport”, të drejtuar nga trajneri Leo Kapri.