AlbanianSport.com 21.04.2016 08:35
ASNN – Komisioni Teknik i Federatës Shqiptare të Taekuondosë në versionin “World” ka caktuar kombëtaren që do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian. Por në të nuk është përfshirë sportistja e spikatur Ada Demneri dhe kjo gjë është skandal, sipas trajnerit të saj Leo Kapri, që në të njëjtën kohë është dhe zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Taekuondosë. “Edhe njëherë Komisioni Teknik i FSHT-së, i koordinuar me disa nga drejtuesit e Federatës, e tregoi se nuk mund të respektoj standardin për të përzgjedhur duke shkelur rregulloren, statutin dhe Ligjin e Sportit, – ka deklaruar Kapri në një komunikim publik nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.
“Dhe këtë herë bëhet fjalë për përzgjedhjen e sportistëve, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Evropian”, – ka shtuar ai. Ky kampionat mbahet në Montró të Zvicrës, nga data 19, deri më 22 maj 2016. “Nuk dua as të shtoj e as të pakësoj asgjë nga ato rezultate që ka sportistja, e cila nuk është përzgjedhur për në Kampionatin Evropian nga Komisioni Teknik në bashkëpunim me Sekretarin e Përgjithshëm të FSHT-së, – ka vijuar trajneri i sportistes së re. – Ish-bursistja olimpike Demneri është e vetmja sportiste në historinë e taekuondosë në Shqipëri që ka marrë medalje ari në Ballkaniadën e të rriturave.”
“Është e vetmja sportiste që ka arritur të marrë disa medalje në garat G1,G2 të njohura dhe të vlerësuar nga Federata Botërore, – ka kujtuar zëvendëspresidenti i FSHTW-së. -Kjo sportiste aktualisht ndodhet në vendin e 45-të në renditjen botërore për kategorinë e saj, si dhe ka qenë pjesë e ekipit kombëtar në më shumë se 30 veprimtari ndërkombëtare. Madje është renditur në vendin e 9-të në Botërorin e Të Rejave në kryeqytetin e Taivanit, Taipei. Ka qenë pjesë e ekipit olimpik në Lojërat e para Olimpike Evropiane në Baku, si dhe prej 8 vitesh është kampione në fuqi. E pikërisht kjo sportiste sipas komisionit teknik nuk paska cilësi të larta për të qenë pjesë e ekipit kombëtar.”
Më tej, Kapri ka shtuar: “Dua t’i kujtoj personave përgjegjës, të cilët nxiten nga interesi personal, se nuk mund të tallen me djersën e sportistëve dhe se nuk mund të mbajnë peng fatin e tyre. Por duhet të gjykojnë profesionalisht e nuk mund të votojnë veten e tyre duke përfituar nga postet e shumta që administrojnë”. Aktualisht, çështja e saj po shqyrtohet edhe një herë nga drejtuesit e Federatës dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ndonëse mbetet për t’u parë sesa do të reflektojnë drejtuesit e Federatës mbi këtë problematikë.