AlbanianSport.com 02.05.2016 08:50
ASNN – Në shtetin fqinj të Malit të Zi u zhvillua ditët e fundit Turneu i Hapur Ndërkombëtar “International Podgorica Open 2016” në sportin e Taekuondosë, në versionin “World”, një veprimtari që mblodhi mbi 200 sportistë nga i gjithë rajoni. Veprimtaria ishte si për kategorinë e të rinjve, ashtu dhe atë për të rritur e paratërinjve dhe mes sportistëve nga Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Bosnjë-Herzegovina, Kosova etj., ishin edhe disa ekipe, përfaqësues nga Shqipëria.
Kështu, Shqipëria mori pjesë me disa ekipe dhe skuadra e “Top Gym Sport”, e drejtuar nga trajneri Leo Kapri, u kthye me 7 medalje nga ky edicion i dytë i “Podgorica Open 2016, nga të cilat 4 të arta,1 të argjendtë dhe 2 të bronzta. Më konkretisht, medalja ari mori Ada Demneri, në kategorinë e peshës trupore deri në 53 kg për të rritura, Glikeria Quka në kategorinë e peshës trupore deri në 55 kg për të reja, Julian Selenica në kategorinë e peshës trupore mbi 65 kg për paratërinj dhe Ozvaldo Zhuzhi, në kategorinë e peshës trupore deri në 33 kg për fëmijë.
Ndërkohë, medalja e argjendtë shkoi për Ariel Rrushin, në kategorinë e peshës trupore deri në 68 kg për të rinj, kursa dy të bronztat shkuan për Noel Hasën, në kategorinë e peshës trupore deri në 24 kg për fëmijë dhe Orseld Shkallën, në kategorinë e peshës trupore deri në 41 kg për paratërinj. Përveç këtyre medaljeve, Ada Demneri u shpall sportistja më e mirë e kategorisë së të rriturve, ndërsa Ozvaldo Zhuzhi, sportisti më i mirë i kategorisë së fëmijëve.