AlbanianSport.com 22/01/2021 16:25
ASNN – Ishte vënë në dyshim për shkak të pranimit nga Turqia të testeve të “Covid-19” të bëra në Kosovë, por ndeshja e Superkupës së Kosovë në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Dritës do të zhvillohet të shtunën në Antalia të Turqisë, duke nisur nga ora 12:00. Dhe trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka pranuar se mungesa e sulmuesve nga Afrika, Oto Xhon e Gautier Mankenda, do të vërehet në ekipin e tij për ndeshjen e Superkupës kundër Dritës. Por, Ramadani ka insistuar se “bardhekaltrit” do të synojnë ta fitojnë ndaj gjilanasve trofeun e parë të këtij viti.
Xhoni dhe Mankenda do të mungojnë në këtë takim, për shkak se nuk janë pajisur me lejeqëndrim në Kosovë dhe nuk kanë udhëtuar për në Turqi. Në fakt, Xhoni është kthyer në Nigeri dhe Mankenda ka mbetur në Prishtinë, kurse skuadra e trajnerit Ramadani ka disa ditë që ka zbarkuar në Antalja për fazën përgatitore në prag të gjysmës pranverore të Superligës së Kosovës në futboll, që nis muajin tjetër. Kjo do të jetë hera e parë që ndeshja e Superkupës do të zhvillohet jashtë Kosovës dhe është vendosur për në Antalia me kërkesën e të dyja klubeve.
Kjo për arsye se skuadrat ndodhen për përgatitje në këtë vend bregdetar. Prishtina dhe Drita janë takuar në kuadër të Superkupës edhe në vitin 2019, ku pati triumfuar ekipi nga Gjilani, me shifrat 2-1. Drita e ka fituar vetëm një herë Superkupën e Kosovës, kurse Prishtina është 9 herë fituese e këtij trofeu. Të martën, Prishtina ka udhëtuar për në Antalia ku do të qëndrojë për dy javë, kurse Drita është vendosur prej së mërkurës në këtë bazë të njohur kryesisht për turizëm. Si për Prishtinën, ashtu edhe për Dritën, dueli i Superkupës do të jetë testi i parë dhe i vërtetë në Antalja.
Krahas trajnerit Ramadani edhe kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, ka thënë se kundër Dritës do të futen për ta fituar ndeshjen dhe trofeun e parë të këtij viti. Megjithatë, ai ka pranuar se kjo aspak nuk do të jetë e lehtë, për shkak se përballë kanë kampionen në fuqi dhe atë të stinorit vjeshtor. Edhe te skuadra e Dritës në ndeshjen ndaj Prishtinës do të futen për fitore. Kështu ka këmbëgulur sulmuesi Kastriot Rexha. Drita e ka mbyllur pjesën vjeshtore në vendin e parë në renditje me 41 pikë të mbledhura, me 9 më shumë se Prishtina që renditet e 3-ta.
Ndeshja do të zhvillohet në Stadiumin “Mardan” dhe pa praninë e tifozëve, për shkak të protokollit të masave për mbrojtjen nga virusi “Covid-19” dhe do të gjykohet nga gjyqtarë turq, me stemën e FIFA-s. Kjo është mundësuar pas takimit që Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), e pati të mërkurën me drejtues të Federatës së Futbollit të Turqisë. Prishtina dhe Drita e Gjilanit do të përballen edhe në turin e 16-shes së Kupës së Kosovës, duel që do të zhvillohet më 10 shkurt 2021 në Stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit.