AlbanianSport.com 20.11.2016 18:55
ASNN – Në takimin që ngriti sot siparin e javës së 11-të të KategorisëSuperiore dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Skënderbeu ka mundur Korabin me një gol të vetëm. Në takimet e tjera, të luajtura të shtunën, u regjistruan rezultatet Luftëtari-Flamurtari 1-1, Vllaznia-Partizani 1-1 dhe Tirana-Laçi 1-0.
Ndeshja midis Skënderbeut dhe Korabit u luajt në Stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, duke nisur nga ora 14:00 dhe u vendos në favor të vendasve me një gol të shënuar nga Xhejms Adeniji 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Korçarët janë shkëputur me 3 pikë në krye të renditjes nga Kukësi, që ka 20 pikë, ndërsa dibranët mbyllin fundin e renditjes, me vetëm 5 pikë të marra në këto 10 javë të para.
Po duke nisur nga ora 14:00, Luftëtari ka pritur në Gjirokastër Flamurtarin, në takimin që u mbyll në barazim 1-1, me nga një gol për secilën pjesë loje, fillimisht nga vendasit, e më pas nga miqtë. Ndërsa duke nisur nga ora 17:00, është luajtur në Shkodër përballja Vllaznia-Partizani dhe në kryeqytet sfida Tirana-Laçi.
Në “Loro Boriçi” miqtë nuk arrijnë ta ruajnë epërsinë e minutave të para, me anë të Çinarit, pasi Batha do të barazojë shifrat 11 minuta para fundit. Ndërsa në kryeqytet, fatin e ndeshjes në favor të bardhebluve e ka vendosur Mervijë Ndokit, që ka shënuar në minutën e 66-të.
Takimi i fundit i kësaj jave është ai që luhet të hënën, duke nisur nga ora 18:00, midis Teutës dhe Kukësit. Verilindorët mbajnë vendin e dytë të renditjes me 20 pikë, 3 më pak sesa Skënderbeu kryesues, ndërsa Partizani është i 4-ti, me pikë të barabarta me rivalen kryeqytetase, Tiranën, që është e 3-ta.