Gjergj Vyshka 15.05.2016 12:05
Superiori në basketboll për meshkuj nuk është dorëzuar, ndërsa i ka dhënë edhe një shans vetes për të qenë në mes më të mirëve të basketbollit shqiptar. Madje të besuarit e trajnerit Eduard Çarçani kanë fituar me përmbysje, ndërsa Flamurtari, që është shkëputur deri në 10 pikë diferencë, nuk ka qenë në gjendje të mbajë këtë epërsi.
Dhe ajo që të vjen keq për skuadrën e Vladimir Birçajt është se ka shkuar dëm mundi i Klevis Kasos, që nga 63 pikë në total të vlonjatëve, 32 pikë i ka bërë vetë. Pra thuajse gjysmën e pikëve të skuadrës, kurse të tjerët duket sikur shihnin se çdo të bënin lojtarët e Superiorit.
Ajo që është evidentuar si jo normale, kundërshtuar dhe nga Superiori e Flamurtari, ka qenë gjykimi i treshes Dulçe-Hoxha-Trajer. Faktet flasin vetë kur Superiori ka pasur mbi 20 faulla dhe Flamurtari diku tek 14-15. Që do të thotë se ka pasur edhe një tendencë për përkrahje të vlonjatëve, gjë të cilën miqtë nuk e kanë shfrytëzuar.
Dhe mbi të gjitha këto, por dhe duke fituar me përmbysje në pjesën e katërt, Superiori e ka bërë më të bukur suksesin e vet, ndërsa tashmë beson tek mrekullia të mërkurën në Vlorë, për t’u ngjitur midis më të mirëve të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kalendari i “Play-out”
midis Superligës dhe
Kategorisë së Parë
11 maj 2016:
Flamurtari – Superior Klima 72-64 (1-0)
(23-8, 22-17, 19-22, 8-17)
Pallati i Sportit “Flamurtari”, Vlorë
14 maj 2016:
Superiori – Flamurtari 70-63 (1-1)
(15-11, 17-21, 18-25, 20-6)
Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë
18 maj 2016:
(nëse do të jetë e nevojshme)
Flamurtari – Superiori ora 17:00
Pallati i Sportit “Flamurtari”, Vlorë