AlbanianSport.com 14.04.2015 20:45
ASNN – Është zhvilluar sonte ndeshja e dytë e “play-out”-it të Superligës me Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj dhe Studenti i është kundërpërgjigjur “flakë për flakë”, duke e mundur Flamurtarin në kryeqytet dhe duke e çuar gjithçka në ndeshjen e tretë.
Ndeshja e dytë e këtij dueli, që u luajt në fushën e Studentit, paraqiste për kryeqytetasit shansin e fundit për të shpresuar për ta çuar të paktën sfidën në ndeshjen e tretë. Në të kundërt, fitorja e Flamurtarit në kryeqytet e mbyllte sot duelin. Sidoqoftë, Studenti i drejtuar nga trajneri i ri, Henri Moja, ka treguar se mbetet një rival i fortë.
Në takimin e sotëm, Studenti ka fituar me shifrat 67-58, duke barazuar kështu rezultatin e ndeshjeve në 1-1. Në fakt, Flamurtari e pati mundur Studentin me rezultatin 56-40, në ndeshjen e parë, duke hedhur kështu një hap drejt qëndrimit në nivelin më të lartë të koshit shqiptar.
Siç dihet, Flamurtari u rendit në vendin e parafundit të Superligës, ku Apolonia u rendit e fundit dhe zbriti një kategori më poshtë. Ndërsa Studenti u rendit i dyti në Kategorinë e Parë, ku Teuta e mbylli në krye dhe fitoi automatikisht të drejtën për t’u ngjitur në Superligë.
Në bazë të formulës së miratuar në fillim, e 5-ta e Superligës përballet në një duel shtesë prej 3 ndeshjesh me të dytën e Kategorisë së Parë dhe dje kanë qenë kryeqytetasit që kanë dëshmuar se nuk kanë ndërmend ta humbi lehtë betejën për vendin midis më të mirëve. Kësisoj, gjithçka do të vendoset në Vlorë më 17 prill 2015.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kalendari i “Play-Out”-it
Superligë – Kategori e Parë
Ndeshja e parë
(10 prill 2015)
Flamurtari – Studenti 56-40 (1-0)
Ndeshja e dytë
(14 prill 2015)
Studenti – Flamurtari 67-58 (1-1)
Ndeshjet e treta*
(17 prill 2015)
Flamurtari – Studenti (17:00)
* Nëse do të ishte e nevojshme.